Tre deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje: Dardan Molliqaj, Dukagjin Gorani dhe Faton Topalli kanë refuzuar të japin nënshkrimin e tyre për formimin e një komisioni hetimor për demarkacionin me Malin e Zi, të cilin e ka propozuar vet partia në të cilën bëjnë pjesë.
Këtë e ka konfirmuar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se përveç tre deputetëve të lartpërmendur të gjithë deputetët e tjerë të Vetëvendosjes kanë dhënë nënshkrimin e tyre për formimin e këtij komisioni.
“Aktualisht i kemi 28 nënshkrime, për shkak të rrethanave Frashëri e ka pasur të pamundur të nënshkruajë, e ne pavarësisht dorëheqjeve kemi kontakte me deputetët të cilët janë ende pjesë e grupit parlamentar. Të gjithë deputetët e Vetëvendosjes kanë marrë edhe me shkrim njoftimin tonë për nisjen e komisionit, por që tre nga ta ende se kanë dhënë nënshkrimin, e ata janë z. Dukagjin Gorani, z. Dardan Molliqaj dhe z. Faton Topalli”, tha deputetja Haxhiu për Kallxo.com.
Lëvizja Vetëvendosje ka marrë iniciativën për të formuar një komision parlamentar për hetim të Demarkacionit me Malin e Zi, më 16 shkurt, ditë kur presidenti Hashim Thaçi ka nënshkruar një deklaratë të përbashkët me presidentin e Malit të Zi Filip Vujanoviq, ku thuhet se palët kanë rënë dakord për përmirësimin e gabimeve të mundshme në të ardhmën.