Tre persona nga burgu i Shutkës janë ende në arrati

Gazetar: Mihajllo Donev

Tre persona nga burgu i Shutkës janë ende në arrati, pasi 10 persona u arratisën nga burgu muajin e kaluar duke shfrytëzuar përparësitë për fundjavë të lirë. Që atëherë, shtatë persona janë paraqitur vullnetarisht në burg, e në mesin e tyre është edhe Adem Kurtoviq, i cili është një nga tre të dyshuarit për vrasjen e 58- vjeçarit Vasil Eftov në afërsi të Mavrovasjës, që ndodhi më 20 gusht.

“Më datë 19 korrik u konstatua se rezultojnë të zhdukur 10 persona, prej të cilëve një pjesë, gjashtë janë paraqitur në orën 23:30, disa prej tyre janë paraqitur në orën 01:30 të ditës së nesërme dhe të tjerët janë rreth katër, katër që janë si në arrati aktive, prej të cilëve njëri prej tyre, tani janë tre, njëri prej tyre është Adem Kurtoviq, i cili mendoj se është paraqitur në stacionin policor të Karposhit më 22.07”, deklaroi Boban Utkovski, drejtor i INP Burgu i Shkupit.

Sipas Utkovskit, numrin më të madh të arratisjeve e bëjnë të burgosurit nga reparti gjysmë i hapur apo i hapur, të cilët për shkak të keqpërdorimit të së drejtës për të dalë nga burgu nuk kthehen më pas. Në periudhën nga viti 2015 deri më 23 gusht, gjithsej 29 të burgosur e kanë bërë këtë lloj arratisjeje dhe nuk janë kthyer më dhe policia ka lëshuar urdhërarrest qendror për ta. Ata që do të kthehen në burg përballen me sanksione shtesë për shkak të arratisjes.

“Futen në sistem të mbyllur nga ku një komision i përbërë nga dy ose tre anëtarë zhvillon bisedë me ta dhe merr vendime të caktuara për të njëjtët persona. Kryesisht u anulohen komoditetet për 90 ditë, pastaj komisioni shqyrton dhe nëse në atë pjesë nuk kanë sjellje të caktuara devijuese në mesin e personave të burgosur ose devijojnë nga normat e caktuara që janë të përcaktuara këtu në rendin shtëpiak, është e mundur që t’u vazhdohet edhe për 90 ditë, por mendoj se në një përqindje të lartë i zgjidhim ato për 90 ditë dhe më pas me vlerësimin e ekipit të risocializimit kthehen në trajtimin që e kanë pasur”, shtoi Boban Utkovski, drejtor i INP Burgu i Shkupit.

Në burgun e Shutkës, siç theksoi Utkovski, në periudhën e ardhshme po punohet për vendosjen e rrethojave më të larta, ndërsa do të vendosen edhe më shumë kamera për të rritur sigurinë e burgut. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme