Tre persona të arrestuar në Mitrovicën Veriore, kapen me drogë
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Mitrovicën Veriore të cilët dyshohen që posedonin sasi të kokainës dhe të marihuanës.
Njëri prej të dyshuarve, sipas Policisë ka urdhër-arrest aktiv në lidhje me veprën penale për narkotikë/laborator droge.
Sipas njoftimit të Policisë, gjithçka nisi rreth orës 03:15 të mëngjesit.
”Me datën 23.11.2023 rreth orës 03:15, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Patrulluese e Stacionit Policor Mitrovicë-veri, gjatë angazhimeve të saj në garantimin e sigurisë dhe parandalimin e veprave penale, ka ndaluar për kontroll automjetin e tipit VW Golf, të cilën e drejtonte i dyshuari me iniciale m/s (N. M.) dhe pasagjerë në automjet ishin të dyshuarit me inicialet (M. T. dhe D. J.)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas ndalimit të automjetit nën dyshimin për posedim të substancave narkotike është kontrolluar automjeti dhe në të është gjetur sasi e dyshuar e kokainës dhe marihuanës. Më pas, janë informuar njësitet tjera relevante, përfshirë Antidroga dhe Forenzika.
Së bashku me këto njësite, sipas Policisë janë evidentuar dhe sekuestruar si prova materiale dëshmitë: rreth 10 gramë kokainë, 98 gramë marihuanë, 83540 dinarë të Serbisë dhe 205 euro kesh dhe katër telefona mobilë.
Me aktvendim të prokurorit kujdestar të tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh./21Media