TRE SKENARËT, PAS RRËZIMIT TË QEVERISË

Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës me mocionin e mosbesimit në Kuvend dikton nevojën e formimit të qeverisë së re, zgjedhjeve të reja apo edhe vazhdimit të funksionimit të kësaj qeverie me kompetenca të kufizuara për një kohë, derisa të vazhdojë situata me COVID-19.

Kuvendi i Kosovës, ka votuar tashmë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim. Mocioni ishte ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e qeverisë. Aktualisht qeveria është e dorëhequr, por në detyrë.

Njohësi i zhvillimeve politike dhe i funksionimit të Kuvendit të Kosovës, Albert Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se pasi mocioni i mosbesimit ishte i suksesshëm, qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

“Nëse do të jetë qeveri teknike apo shumë-partiake, kjo do të varet nga vullneti i deputetëve, por edhe i presidentit, i cili mund të vendosë përmes një dekreti që vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Krasniqi.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Zgjerim, Fqinjësi dhe Partneritet Ndërkombëtar, Ana Pisonero, përmes një postimi në Twitter, tha se rrëzimi i qeverisë e shpie Kosovën në një situatë të vështirë politike në kohën e përballjes me coronavirusin.

Ajo bëri thirrje që liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi në interesin e popullit.

“Ajo çfarë i duhet Kosovës është stabilitet dhe përpjekje për të luftuar coronavirusin dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Hapat tjerë pas votës së mosbesimit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha ajo.

Dy opsionet e para – Zgjedhje apo vazhdimi i qeverisë Kurti gjatë pandemisë

Në Kushtetutën e Kosovës, neni 100 i saj thotë se nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje. Kurse neni 82 e përcakton se Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.

Aktualisht, Kosova si edhe gjithë bota, po përballen me pandeminë e COVID-19, pas përhapjes së coronavirusit të ri vdekjeprurës. Organizimi i zgjedhjeve, nuk besohet se do të jetë i mundur në rrethanat aktuale.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shkruar në Facebook se LDK nuk do t’i tërheq ministrat e saj nga qeveria dhe se i mbetet kryeministrit Albin Kurti të vendosë nëse do të vazhdojë punën deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Vigan Qorolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas miratimit të mocionit të mosbesimit, presidenti i vendit, do t’i kërkojë partisë fituese të zgjedhjeve të fundit, të 6 tetorit, [në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje] emrin e një mandatari të ri për kryeministër.

Qorolli thekson po ashtu se është edhe mundësia tjetër që të gjitha partitë politike të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje e cila, sipas tij, do ta bindte presidentin për ta votuar apo nominuar një kandidat për kryeministër.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon që të ketë një konsensus dhe të këtë një mbledhje të përbashkët të të gjitha partive në mënyrë që ta bindin presidentin për një zgjidhje të përbashkët. Por, ai [presidenti ] nuk e përjashton mundësinë që ta nominojë edhe njëherë një kandidat nga partia fituese, do të thotë Vetëvendosje, por jo më Albin Kurtin mandatar”, tha Qorolli.

Opsioni i tretë – qeveri me bazë të gjerë

Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës shkruan se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Ky përkufizim, besohet se i jep të drejtën, të paktën herën e parë Vetëvendosjes si parti fituese që të propozojë mandatarin e ri për kryeministër.

Por, sipas Vigan Qorollit nëse partia më e votuar heq dorë vullnetarisht nga pozita e kryeministrit, atëherë presidenti mund t’ua kalojë radhën partive të tjera pas VV-së.

“Nuk pritet të ketë një qeveri teknike, do të ketë sërisht një qeveri politike e cila do ta kalojë një tranzicionin disa mujor e pastaj do të organizohen zgjedhjet e reja të cilat duhet të mbahen, po themi, brenda një periudhe të arsyeshme kohore, pasi të kalojë pandemia mbase në muajin shtator më së voni”, tha Qorolli.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se si parti është e hapur që të bisedojë sërish me Lëvizjen Vetëvendosej, por sipas tij, tani për një qeveri më të gjerë, ku do të bënin pjesë edhe partitë tjera politike.

Mustafa ka thënë se qëndrimi i LDK-së vazhdon të jetë po i njëjti, që nënkupton se LDK nuk e do vetëm Partinë Demokratike të Kosovës në koalicionin e ri.

Analisti Albert Krasniqi thotë se PDK-ja, në bazë të deklarimeve të liderit të saj, Kadri Veseli, preferon të qëndrojë në opozitë.

“Nëse bazohemi në deklarimet e partive politike, PDK ka deklaruar se do të qëndrojë në opozitë. Pra, edhe nëse krijohet një qeveri e re, që del brenda përbërjes aktuale të Kuvendit, nuk do të jetë shumë-partiake apo teknike”, tha Krasniqi.

Kurse, analisti Imer Mushkolaj, mendon se Kosova po futet në një krizë të re politike.

“Me gjasë do të kemi një qeveri me mandat të kufizuar. Por, në fund të fundit humbësit më të mëdhenj në këtë situatë janë qytetarët, që u braktisën në një situatë të vështirë. Në aspektin politik, humbësja më e madhe në këtë situatë do të jetë LDK-ja”, tha Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e deritanishme e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, ka pësuar luhatje, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë lindur ndërmjet dy partive partnere të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mospajtimet mes tyre kulmuan me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo e fundit, inicioi më pas mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, duke i siguruar nënshkrimet nga deputetët e opozitës. Pas rrëzimit të qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shkarkuar nga posti i zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme