Tre të plagosur dhe dy të arrestuar – tentim vrasjeje mbrëmë në Pejë

Pa kaluar as 24 orë nga ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmë në qytetin e Pejës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbetën të plagosur tre persona – babai dhe dy djemtë e tij – Policia ka arritur që të arrestojë dy personat që dyshohet të jenë të përfshirë në rast.

I dyshuari kryesor, Agron Gashi dhe një tjetër person që dyshohet se i ndihmoi të riut të kryente veprën e rëndë, fillimisht u arratisën nga vendi i ngjarjes.

Por Policia në koordinim me Prokurorinë ka arritur që shumë shpejt të lokalizojë vendndodhjen e tyre dhe të njëjtit tashmë ndodhen në masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

  Tre të plagosurit, anëtarë të të njëjtës familje mbrëmë janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës për shkak të plagëve që morën pasi u qëlluan me armë zjarri. Për shkak të natyrës së lëndimeve, viktimat janë transportuar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po vazhdojnë trajtimin në përkujdesjen e stafit shëndetësor.

Në mesin e të plagosurve është edhe një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga FSK-ja kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se i plagosuri J.B. është pjesëtar i tyre.

E konfirmojmë se personi në fjalë është pjesëtar i FSK-së”, thuhet në përgjigjen e tyre për Reporteri.net.

Shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka, i tha Gazetës Online Reporteri.net se gjendja shëndetësore e sidomos njërit prej të lënduarve, vazhdon të jetë e rëndë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta stabilizuar gjendjen e tij.

Po njëri nga të plagosurit është në Klinikën Intensive duke u trajtuar. Plagët janë në regjionet e poshtme të barkut (abdomenit) që kanë përfshi lëndimet të enëve të mëdha të gjakut, dëmtime të kockës në këmbën e majtë të cilat kanë qenë shumë gjakderdhëse…Pacienti vazhdon të jetë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pacienti i është nënshtruar intervenimit kirurgjik i cili ka zgjatur nga mesnata deri në orët e mëngjesit”, tha Uka për Reporteri.net.

E, armën që trazoi qytetin e Pejës dhe gjithë vendin, dyshohet se e shkrepi 21-vjeçari, Agron Gashi.

Gashi i cili është emër i njohur për organet e rendit si recidivist i veprave të ndryshme penale, u arrestua pas disa orësh në arrati në afërsi të fshatit të tij të lindjes në Pejë. Për lokalizimin e vendndodhjes së tij, Policia kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve të vendit.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka njoftuar se Gashi është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Përveç Gashit, në pranga fillimisht ka rënë edhe një person që dyshohet se i ndihmoi 21-vjeçarit të kryejë veprën.

Prokurori i rastit, Ersan Qavolli, në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net tha se Gashi dhe i dyshuari tjetër janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Qavolli nuk foli për motivet që mund të kenë çuar deri në ngjarjen e rëndë, për shkak se hetimet janë ende në fazën fillestare.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme