Tregu unik ballkanik si zëvendësim për anëtarësim në BE?

Në Bruksel besojnë se me anëtarësimin e Kroacisë në BE do të jetë më lehtë që shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të pranojnë krijimin e një tregu unik me një union doganor që do të kishte edhe lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe punëtorëve. Kroacia gjithmonë ka qenë kundër një ideje të tillë, sepse e ka parë si rrezik të “rikrijimit të një Jugosllavie të re”, ndërsa tash, si anëtare e BE-së, ajo nuk mund të jetë pjesë e një tregu të tillë rajonal

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë kishin lindur idetë për integrime rajonale në Ballkanin Perëndimor. Ideja ishte që ky rajon, i vuajtur dhe i shkatërruar nga lufta të ndihmohet që të rimëkëmbet, të rindërtohet, stabilizohet dhe përmes bashkëpunimit rajonal të krijojë kushte që të ecë drejt integrimit në BE. Si vegël për realizimin e këtyre synimeve ishte krijuar edhe Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe ishte nisur edhe Procesi i Stabilizim-Asocimit. Por qysh atëherë, në fund të viteve nëntëdhjetë, Kroacia më së shumti e disa vende tjera pjesërisht, kundërshtonin krijimin e ndonjë asociacioni rajonal, duke ia paraqitur opinionit të saj këto ide si “tentim për krijimin e një Jugosllavie të re, me vendet e ish-Jugosllavisë, pa Slloveninë, por me Shqipërinë”.

Megjithatë ishte logjike se bashkëpunimi tregtar në rajon është në dobi të të gjithëve dhe kjo përfshinte edhe Kroacinë. Kështu nuk u krijua asnjë asociacion rajonal, por pati vetëm nisma rajonale që sot kanë mbetur gjallë përmes Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal me seli në Sarajevë dhe CEFTA-s. Në një mënyrë në rajon shtetet tash kanë mundësi për tregti të lirë përmes CEFTA-s, e cila kur ishte krijuar nuk kishte përfshirë fare këto vende. Ajo ishte krijuar nga Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria si Marrëveshje e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore. Duke hyrë në BE vendet e kësaj pjese të Evropës largoheshin nga CEFTA dhe në të sot janë vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia, pra të vendeve të cilat nuk janë në BE. Bashkimi Evropian është treg unik i përbashkët dhe asnjë vend i BE-së nuk mund të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje tjetër për tregti të lirë dhe të gjitha raportet tregtare me vendet e treta mund t’i rregullojë vetëm përmes Bashkimit Evropian.

Në Bruksel besojnë se me anëtarësimin e Kroacisë në BE do të jetë më lehtë që shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të pranojnë krijimin e një tregu unik me një union doganor, që do të kishte edhe lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe punëtorëve. Kroacia gjithmonë ka qenë kundër një ideje të tillë, sepse e ka parë si rrezik të “rikrijimit të një Jugosllavie të re”, ndërsa tash, si anëtare e BE-së, ajo nuk mund të jetë pjesë e një tregu të tillë rajonal. Kroacia në fillim të anëtarësimit në BE pati edhe vështirësi tregtare, sepse me vendet e rajonit nuk mund të bënte tregti si pjesë e CEFTA-s, që rrezikoi eksportin e mallrave të saj në këtë rajon. Por hyrja në fuqi e Marrëveshjeve të Stabilizim-Asocimit, të cilat e rregullojnë edhe tregtinë mes këtyre vendeve dhe BE-së, ka ndihmuar që të tejkalohen këto vështirësi.

Javën e shkuar edhe komisari i BE-së për Çështje të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, ka përmendur nevojën që rajoni të evoluojë drejt një krijimi të një tregu të përbashkët, sipas shembullit të BE-së. Nga interesi tregtar dhe ekonomik kjo ide mund të duket e logjikshme. Por ajo ka edhe rreziqe politike dhe nuk do të jetë e lehtë që të realizohet.

Së pari raportet mes vendeve të rajonit nuk janë as përafërsisht aq të mira sa pretendon Brukseli. Në fakt në 15 vitet e fundit vështirë është të gjenden momente kur raportet mes këtyre shteteve kanë qenë më të vështira dhe më problematike. Raportet mes Serbisë dhe Kosovës janë problemi kryesor. Ky problem shkakton edhe pengesa në raportet e Kosovës me Bosnjë e Hercegovinën dhe ndikon edhe në raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në anën tjetër forcat nacionaliste në Maqedoni pas problemeve të brendshme kanë filluar të keqësojnë raportet edhe me Shqipërinë. Mali i Zi shpejt do të bëhet anëtar i NATO-s, por edhe atje ekziston një forcë e madhe proruse dhe proserbe, e cila do të mbajë tensionet në atë vend. Në Bosnjë e Hercegovinë janë acaruar raportet e brendshme ndëretnike përsëri, ndërsa shumica boshnjake dëshiron përsëri të paraqesë për rishqyrtim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Haagë. Përderisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ulur interesin për rajonin, ndërsa BE-ja ka humbur në masë të madhe fuqinë e saj, në rajon ndikimin politik e kanë rritur Rusia dhe Turqia. Në këto rrethana nuk duket shumë moment i favorshëm për të detyruar vendet e rajonit që të rrisin edhe formalisht nivelin e bashkëpunimit rajonal duke shkuar drejt një tregu të përbashkët.

Sfida tjetër është se kjo ide mund të shihet edhe si përpjekje për të krijuar një asociacion rajonal, ku vendet e rajonit do të mbeteshin duke pritur për një kohë shumë të gjatë anëtarësimin në BE. Kjo mund të kuptohet edhe si një lloj alternative e integrimit në BE dhe humbje e besimit se një integrim i tillë mund të ndodhë në një të ardhme.

Përkundër sfidave politike ideja mund të jetë e dobishme për të tërhequr investime në rajon, sepse do të lehtësonte punësimin e të rinjve nga një shtet në një shtet tjetër, tërheqjen e inovatorëve dhe fuqisë së kualifikuar të punës. Të gjitha vendet e rajonit e kanë problem serioz papunësinë, por kanë në të njëjtën kohë edhe mungesë të fuqisë punëtore për disa profesione. Realizimi i kësaj ideje do të ishte mirë edhe për turizmin, i cili është i rëndësishëm për të gjitha vendet e rajonit.

Por problemet politike kanë qenë ato që e kanë penguar deri tash lëvizjen e lirë të njerëzve dhe punëtorëve, sepse, kur ka ekzistuar vullneti politik, janë tejkaluar edhe pengesat formale. Vështirë se krijimi i një tregu unik do t’i zgjidhte këto probleme pa i tejkaluar së pari mospajtimet serioze politike në rajon.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme