‘Treni i zi’, rrëfehet gazetarja serbe: Ja çfarë ndodhte brenda trenit

Një tren që u nis nga Beogradi për në Prishtinë bëri bujë të madhe në të dyja vendet. Skenarë të ndryshëm u shkruan për ardhjen e tij. Ilegal apo legal, treni nuk arriti të hyjë në vendin tonë, pasi një gjë e tillë iu ndalua nga Policia e Kosovës.

Por sipas disa videove do të ndalej edhe duke hedhur në erë një pjesë të shinave në një zonë në hyrje të Kosovës, por këto lajme dolën të pavërteta. Por, si ka qenë gjendja brenda trenit ku të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë të Qeverisë Serbe. Për Gazetën Metro ka rrëfyer gazetarja e Televizionit MIR nga Leposaviqi.

Sanja Sovrliç, bashkë me një grup gazetarësh tjerë serbë ishin akredituar që të raportonin për udhëtimin e trenit nga Beogradi për në veriun e Mitrovicës.

Për një gazetare siç ishte Sanja, atmosfera në tren ishte normale dhe asgjë e veçantë nuk ishte duke ndodhur. Rreth saj kishte zyrtarë të ndryshëm të Qeverisë serbe e në mesin e tyre edhe Marko Djuriç, drejtor i të ashtuquajturës drejtor i zyrës serbe për Kosovën.

Përveç tyre në tren ishin dhe 50 udhëtarë të tjerë të cilët kishin blerë biletat si çdo herë. E kur treni arriti në Rashkë, ai u ndal për një pushim të shkurtër, ndërsa të gjithë prisnin se çfarë do të ndodhte.

Sanja shpjegon momentin kur Djuriç mblodhi gazetarët gjatë pushimit që zhvilluan në Rashkë, duke shpjeguar që përreth ka parë forca të shumta të Policisë së Kosovës.

“Në një moment Djuriç ka mbledhur gazetarët dhe ka thënë që treni nuk do të vazhdojë, por informacionin e saktë do ta japë Vuçiçi në një konferencë për media. Nuk ka dashur të komentojë pse treni u ndalua”, shpjegon Sanja për Gazetën Metro.

Për të gjitha zhvillimet që ndodhën gjatë udhëtimit të atij treni por edhe më pas, Sanja i shpjegon si të pakuptueshme dhe lojë politike.

“Unë mendoj se kjo ka të bëjë me një fushatë politike dhe mendoj që politikanët kanë përfituar më shumë nga kjo situatë, si ata të Beogradit gjithashtu edhe këta të Kosovës, duke marrë kredite në krah të popullatës së viktimizuar”, shprehet Sanja.

Por jo vetëm kjo i ka penguar gazetares serbe. Ajo, është irrituar me raportimin që i bënë mediat serbe kësaj ngjarje, por edhe gazetarët me statuset e tyre në rrjete sociale.

“Ajo që më ka penguar janë mediat të cilat në vend se të raportojnë për të qetësuar popullatën, unë po flas për ato serbe, por gjithashtu edhe disa kolegë në rrjetet sociale të cilët kanë publikuar statuse sepse ne si gazetarë duhet të jemi zëri i ndërgjegjes”, tha Sanja.

E për Sanja Sovrlic, të raportosh nga një ngjarje e tillë nuk është aspak e lehtë për një gazetar, të cilit i duhet të raportojë për të vërtetën dhe i cili sipas saj dëshiron që të ulë tensionet tek njerëzit e tjerë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme