Trepça mund të falimentojë

Qeveria e Kosovës ende nuk ka përfunduar procedurat për zgjedhjen e bordit mbikëqyrës të kompleksit metalurgjik Trepça, që do të mundësonte zbatimin e Ligjit për Trepçën i cili ka hyrë në fuqi një vit më parë.

Bordi mbikëqyrës i Trepçës, sipas këtij ligji, ishte dashur të themelohet brenda gjashtë muajve nga miratimi në Kuvendin e Kosovës, por që, siç thonë përfaqësues të këtij kombinati, kjo çështje është neglizhuar nga institucionet.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në tetor të këtij viti kishte kërkuar nga ministritë kompetente që të përfshihen në veprime të shpejta dhe konkrete rreth zbatimit të Ligjit për Trepçën.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se pret që procedurat rreth zgjedhjes së bordit mbikëqyrës të Trepçës të përmbyllen brenda një muaji.

“Qysh në fillim të mandatit të Qeverisë Haradinaj, një prej problemeve kyçe që ka kërkuar zgjidhje të shpejtë ka qenë edhe funksionalizimi i Trepçës në bazë të ligjit të miratuar. Qeveria ka shpallur konkursin për formimin e bordit të Trepçës. Afati për konkurrim është mbyllur dhe tani është formuar komisioni për vlerësimin e kandidatëve që pastaj të procedohet më tutje”.

“Pa u zgjedhur bordi i ri nuk mund të fillojnë procedurat për t’u regjistruar Trepça si ndërmarrje publike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Të gjitha procedurat, si vlerësimi i kandidatëve dhe deri të votimi në Kuvend, mund të marrin kohë prej tani një muaj”, thotë Shatri.

Zvarritjet që i janë bërë zbatimit të Ligjit për Trepçën, nga përfaqësues të këtij kombinati po konsiderohet se kanë sjell humbje të mëdha, si dhe nuk është arritur të fillohet me politikat zhvillimore të kësaj ndërmarrjeje.

Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë flet për një gjendje jo të mirë në kombinatit Trepça. Ai thotë se prodhimi ka rënë në nivel shumë të ulët.

“Gjendja aktuale në Trepçë nuk është aspak e mirë dhe kjo për shumë arsye: si mos formimi i bordit mbikëqyrës, keqmenaxhimi, keqpërdorimet dhe mosdisiplina në punë. Vetëm në nëntë mujorin e parë të këtij viti kemi prodhim më pak për 30 për qind krahasuar më vitin paraprak. Nëse vazhdohet me vonesa në përzgjedhjen e bordit mbikëqyrës, Trepça do të shkojë drejt falimentimit”, thotë Sadiku.

Ai shton se për rënien e prodhimit në kombinatit Trepça janë të njoftuara të gjitha institucionet kompetente, por që nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret për daljen nga kjo situatë.

Sipas të dhënave zyrtare nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty nxirren 150 mijë tonë xehe.

Mosfunksionalizimi i Ligjit për Trepçën edhe sipas drejtorit të këtij kombinati Ahmet Tmava, përveç rënies së prodhimit ka sjell vështirësi të mëdha edhe të funksionimit si ndërmarrje.

“Trepça është në fazën e mbijetesës me probleme të mëdha, por po shpresojmë që gjërat të lëvizin. Problemet shëndetësore të punëtorëve, mosha e shtyrë si dhe mungesa e investimeve po sjell probleme. Për momentin statusi i Trepçës është i paqartë”, thotë Tmava.

Kombinati Trepça, llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Por, në vitet e fundit kaloi në fazën e mbijetesës dhe nga mbi 20 mijë punëtorë sa kishte në të kaluarën, Trepça numëron aktualisht rreth 1,400 punëtorë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme