Numri dy i Al Kaedas është ekzekutuar në rrugët e Iranit. Ai ishte me vajzën e tij, kur u vra nga agjentët izraelitë.
Abdullah Ahmed Abdullah u vra 22 vite pasi organizoi sulmet në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani, ku u vranë 224 persona dhe u plagosën mijëra.
Ai fshihej pas emrit Abu Muhammad al-Masri.
Deri të premten, akoma nuk është konfirmuar zyrtarisht vdekja e tij dhe emri qëndron në listën e FBI si terroristi më i kërkuar. Për kokën e tij është vendosur një shumë prej 10 milionë dollarësh.
Akoma nuk dihet roli i amerikanëve në këtë vrasje, por mendohet se ata kanë gjurmuar lëvizjet e tij në Iran prej vitesh.
Gazeta amerikane shkruan se vdekja e tij kishte mbetur sekret deri më tani.
Madje Irani ndryshoi identitetet e tyre kur krimi u raportua në media. Sipas medieve, viktimat ishin Habib Daoud, një profesor historie nga Libani dhe vajza e tij 27-vjeçare.
Gazeta amerikane shkruan se ky emër është një sajim i Iranit, që nuk mund të pranojë se një lider i Al Kaedas fshihej në vendin e tyre.
Sipas burimeve, 58-vjeçari ishte me një makinë Renault të bardhë kur u ndalua nga dy persona të armatosur, të cilët qëlluan pesë herë me një pistoletë me silenciator.
Katër plumba depërtuan brenda në mjet, duke e vrarë atë dhe të bijën Miriam, e cila është vejusha e djalit të Osaman bin Laden, Hamza bin Laden.
Asnjë vend nuk ka marrë përgjegjësi për vrasjen dhe Al Kaeda nuk e ka shpallur akoma vdekjen e tij.
Terroristi ishte dënuar në SHBA për sulmet mbi ambasada. Ai mendohet se ka urdhëruar edhe sulmin në Mombasa të Kenias, ku u vranë 13 kenianë dhe 3 turistë izraelitë.