Deputeti Korab Sejdiu gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se tre liderët kryesorë të vendit: presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, si dhe kryeparlamentari Veseli, me veprimet e tyre të fundit për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale po e shkatërrojnë Kosovën.
Sipas tij, një blof i tillë ishte për ta shpëtuar veten nga Specialja, si dhe për t’i rritur pazaret në prag të arrestimeve të para
Juristi Sejdiu thotë se në lidhje me iniciativën e fundit nuk bëhet fjalë për një ligj të rëndomtë, por, siç thotë ai, për një përpjekje pak më të madhe në kontekst të votave që nevojiten për ta bërë një ndryshim të tillë, i cili ka edhe implikime kushtetuese dhe një investim shumë të madh nga partnerët ndërkombëtarë, në veçanti nga SHBA-ja dhe BE-ja.
“Pra, në rastet si këto kur ne hyjmë në obligime që kanë edhe implikime ndërkombëtare nuk mund pastaj të luajmë me ata të cilët janë pjesë e procesit, sepse, siç edhe po shihet, këtë ata nuk e tolerojnë”, ka pohuar Sejdiu.
Ky i fundit madje është shprehur i gatshëm që ta japë votën e tij pro mocionit për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” nëse opozita punon në këtë drejtim, siç ka deklaruar së fundi.