Një krim i rëndë në familje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në Prizren të Kosovës, ku babai ka vrarë me thikë vajzën e tij vetëm 15 vjeçe.
Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 06:00 në rrugën “Shotë Galica”, ku sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky i fundit ka sulmuar me thikë gruan dhe dy vajzat e tij. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë, Shaqir Bytyçi.
“Rreth orës 06:00 kemi pranuar informatë se një person është me thikë në dorë në rrugën ‘Shotë Galica’. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka parë tre persona të lënduar, dhe njëra nga të lënduarat ka ndërruar jetë”, deklaroi Bytyçi.
Vajza tjetër, e moshës 10 vjeçare, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Autori i ngjarjes është ndaluar nga policia. Sipas informacioneve të para, familja është me origjinë turke. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të këtij krimi tronditës.