Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Padova të Italisë, ku një 36-vjeçar nga Kosova është arrestuar për rrëmbim dhe përdhunim të një 37-vjeçareje shqiptare. Sipas raportimeve të agjencisë italiane ANSA, ngjarja ka ndodhur më pak se 24 orë pasi autori ishte liruar nga burgu.
Gruaja ka treguar tmerrin e përjetuar, pasi ishte kontaktuar fillimisht me telefon nga i panjohuri, i cili i tha se kishte një lajm urgjent dhe se djali i saj 18-vjeçar ishte në rrezik. E shqetësuar për sigurinë e të birit, ajo pranoi të takohej me të.
Në momentin që u takuan, 36-vjeçari e kërcënoi me armë dhe e detyroi të shkonte në një banesë të braktisur, ku nisi kalvari i dhunës. Pas disa orësh, autori e transferoi viktimën në një shtëpi tjetër, ku vazhdoi ta përdhunonte nën kërcënimin e armës.
Makthi i gruas zgjati dy ditë, derisa ajo arriti të arratisej, pasi mori një telefonatë nga i biri që e qetësoi se nuk ishte në rrezik. Kjo i dha asaj forcën për të shpëtuar dhe për të telefonuar policinë.
Pas një operacioni intensiv kërkimi, autoritetet italiane arritën të arrestojnë 36-vjeçarin, i cili rezulton të jetë në Itali në mënyrë të paligjshme dhe me një listë të gjatë precedentësh penalë.