Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe shefi i shtetit turk, Rexhep Tayip Erdogan në bisedën e parë telefonike biseduan për angazhimin e përbashkët në luftën kundër terrorizmit në të gjitha format e tij, kumtoi Shtëpia e Bardhë.
Trump ka theksuar se SHBA-ja e mbështet Turqinë si partner dhe aleat strategjik të NATO-s. Presidenti i SHBA-së e ka përshëndetur rolin e Turqisë në luftën kundër Shtetit Islamik.
Paraprakisht edhe zyra e Erdoganit kumtoi për bisedën telefonike midis dy liderëve, por nuk dha detaje për përmbajtjen e saj. Gazeta “Dejli sabah” ka theksuar se biseda ka zgjatur 45 minuta dhe ka kaluar në atmosferë pozitive.
Gjatë qeverisjes së Barack Obamës marrëdhëniet midis Turqisë dhe SHBA-së janë tendosur, ndërsa Ankaraja shfaqi brengosje nga refuzimi i SHBA-së për ta ekstraduar predikuesin mysliman Fetullah Gulen, i cili jeton në SHBA, ndërsa të cilin autoritetet turke e akuzojnë se qëndron pas përpjekjes për grusht shtet më 15 korrik të vitit të kaluar.
Përveç kësaj Turqia ishte e mllefosur nga fakti se SHBA-ja i mbështet forcat siriane kurde, të cilat luftojnë kundër ISIS-it.