Mes frikës së Perëndimit se Irani po zhvillon me shpejtësi aftësitë për të prodhuar armë atomike, Donald trump nuk zgjedh gjuhën e forcës por atë të kompromisit.
Në një letër dërguar udhëheqësve të Republikës Islamike, kreu i Shtëpisë së Bardhë sugjeron bisedime. “U thashë se shpresoj që të negociojnë, sepse do të jetë shumë më mirë për Iranin,” pohoi Trump në një intervistë me kanalin Fox Business.
“Mendoj se ata do ta vlerësojnë atë letër. Alternativa tjetër është që ne të bëjmë diçka, sepse nuk mund të lejojmë një tjetër armë bërthamore”, shtoi ai. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork u shpreh megjithatë se Teherani ende nuk e ka marrë letrën në fjalë.
Media “Nour News” e Iranit, e lidhur me organin më të lartë të sigurisë të vendit, nuk i kushtoi shumë rëndësi letrës, duke e quajtur një “spektakël të përsëritur” nga Uashingtoni. I pyetur nëse ai ia kishte dërguar letrën Ayatollah Ali Khameneit, udhëheqësit suprem antiperëndimor të Iranit, Trump tha: “Po”. “Ka dy mënyra se si mund të trajtohet Irani: ushtarakisht, ose të bësh një marrëveshje,” ishte komenti i tij. “Unë do të preferoja të bëja një marrëveshje, sepse nuk po përpiqem të dëmtoj Iranin. Ata janë njerëz të mrekullueshëm.”
Zyrtarët perëndimorë druhen se një Iran i armatosur me armë bërthamore mund të kërcënojë Izraelin, vendet arabe prodhuese të naftës të Gjirit dhe të nxisë një garë armatimi në rajon.
Top Channel