Trump-Izraelit: Qëndro i fortë deri më 20 janar

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump i ka bërë thirrje Izraelit të “mbetet i fortë” derisa ai të marrë zyrtarisht çelësat e Shtëpisë së Bardhë muajin e ardhshëm.

Në shpërthimin e tij të fundit e të paprecedentë në rrjetin social “Twitter”, Trump ka thënë gjithashtu se Izraeli është trajtuar me “përbuzje dhe pa respekt”, gjë që sipas tij duhet të marrë fund.

Kritikët e tij kanë nxitur presidentin e zgjedhur të përdorë kanale më konvencionale për të komunikuar mbi çështjet ndërkombëtare, e jo përmes rrjeteve sociale.

Zhvillimet e fundit vijnë pas votimit të një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që i ndalonte Izraelit të vijonte me ndërtimin e blloqeve të banimit në kolonitë e shtrira në tokat e pushtuara palestineze, që sipas ligjit ndërkombëtar rezultojnë të paligjshme.

Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë izraelitë e kanë konsideruar abstenimin e SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit, në vend që të vendosnin veton ndaj rezolutës, si një tradhti nga presidenti Obama dhe Sekretari Kerry.