Trump “ndihmon” Gjermaninë

Donald Trump e trumpetoi me të madhe tërheqjen nga marrëveshja tregtare e Partneritetit të Trans-Paqësorit, por largimi i Amerikes duket se i hap rrugën përfitimeve të Gjermanisë.

Zëvendeskancelari gjerman, Sigmar Gabriel sheh mundësinë që vendi i tij të shfrytëzojë çdo avantazh tregtar në Azi dhe në Amerikën e Jugut, që do të lerë pas Amerika protektsioniste.

“Nëse Trumpi nis një luftë tregtare me Azinë dhe Amerikën e Jugut, për ne hapen mundësi të mëdha. Sigurisht nuk duhet ta nënvlerësojmë atë që ka ndërmend. Ai do të drejtojë një program protektsionist, me doza të thella nacionaliste, ndërsa ne duhet të shohim për partnerë që kërkojnë bashkëpunimin. Kur një derë mbyllet dhe ai po mbyll shumë dyer, diku gjetkë hapet një derë tjetër, për këtë jam i sigurtë”, thotë zv.kancelari gjerman.

Gabriel, i cili mban dhe portofolin e ministrit të Ekonomisë e që pritet të garojë kundër Angela Merkelit në zgjedhjet e shtatorit, këmbëngul që industria gjermane të ruajë vetëbesimin përballë lëvizjeve të Trumpit. Ai kujtoi se vetëm 10 përqind e eksporteve gjermane shkojnë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa 60 përqind të tjera dërgohen në vendet e Europës.

“Mund ta shikoni pra sesa është pesha e interesave tona ekonomike”, theksoi zëvendeskancelari. Ndërkohë, socialdemokrati Bernd Lange, kryetari i komitetit të tregtisë në Parlamentin Europian, mendon se Gjermania dhe BE-ja duhet të shohin mundësinë e zgjerimit të marrëdhënieve tregtare me Kinën dhe afrimin me shtete si Kanadaja, Japonia dhe Australia, që ndajnë vlera të ngjashme me bllokun.

/ Top Channel

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme