Gazeta e madhe amerikane, New York Times, ka raportuar dje se ka pasur një përplasje të ashpër mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubios, dhe miliarderit, Elon Musk, në Shtëpinë e Bardhë – ku ishte prezent edhe presidenti amerikan, Donald Trump.
Sipas raportimeve, tensionet mes dy figurave të njohura politike dhe biznesore kishin arritur kulmin, duke krijuar një atmosferë të rëndë ndërsa Trump ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.
Një gazetare e NBC-së u përpoq të merrte më shumë informacione mbi konfliktin mes Rubios dhe Muskut.
Ai e pyeti Trumpin nëse ishte e vërtetë që dy këto personalitete kishin ndarë mendime të ndryshme, dhe nëse një përplasje e tillë ishte zhvilluar në Zyrën Ovale.
Trump, i irrituar nga pyetja, iu përgjigj ashpër gazetares “nuk duhet ta kishit bërë atë pyetje!”
Pasi mësoi që gazetarja ishte nga NBC, Trump nuk e kursye mendimin e tij. Ai i hodhi një buzëqeshje përçmuese, duke shfaqur qartë pakënaqësinë ndaj gazetarëve të këtij kanali dhe duke pyetur me një ton ironik “a ka ndonjë pyetje tjetër për Kupën e Botës FIFA 26?”
Ky reagim i Trumpit u interpretua si një mënyrë për të shmangur diskutimin dhe për të kaluar në një temë më të përshtatshme për të, duke e bërë të qartë se nuk dëshironte të fliste më për këtë çështje delikate.
Ndryshe, Rubio raportohet se ka javë që është zemëruar me Muskun, gjegjësisht që nga koha kur ekipi i miliarderit kishte mbyllur në mënyrë efektive një agjenci të tërë që supozohej të ishte nën kontrollin e tij: Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). /Telegrafi/