Trusti i Kosovës ka në menaxhim rreth 1.64 miliard euro

Kryetari i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Ymer Havolli, ka bërë me dije se numri i kontribuuesve aktivë në këtë fond po rritet. Ai ka treguar se Trusti ka në menaxhim rreth 1.64 miliard euro.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka folur edhe për sfidat me të cilat përballet ky institucion. “Më 28 shkurt të këtij viti numri i kontribuuesve aktivë ishte 234 878, ndërsa në të njëjtën datë të një viti më parë ky numër ishte 222 543. Megjithatë, duhet të kihet parasysh se në tremujorin e parë historikisht ka ndodhur që numri i kontribuuesve aktivë të jetë më i ulët sesa në tremujorët vijues. Kjo lidhet kryesisht me mënyrën e raportimit që punëdhënësit bëjnë në ATK”, ka thënë Havolli. Ai ka deklaruar se sfidë e vazhdueshme e Trustit është ruajtja dhe rritja e vlerës së kontributeve pensionale nën menaxhim.

Havolli ka treguar se deri më tani ky institucion ia ka dalë me sukses që të përballet me këtë sfidë pasi, sipas tij, vetëm nga viti 2009 e këtej është arritur që rreth 360 milionë euro bruto të kthehen nga investimet. “Sfida të tjera aktualisht Trusti nuk ka, pasi në operimet ditore asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë telash a pengesë të pamenaxhueshme. Ky institucion mbikëqyret rreptë nga Kuvendi i Kosovës, BQK-ja, Auditori i Jashtëm dhe ai i Brendshëm, dhe deri më tani nga këto mbikëqyrje nuk ka pasur gjetje që sinjalizojnë çfarëdo problemi të rënies ndesh me legjislacionin apo rregulloret në fuqi”, është shprehur Havolli.

Ai u është përgjigjur edhe kritikave të deputetëve për këtë institucion dhe rekomandimeve që Komisioni për Buxhet dhe Financa i ka bërë në lidhje me pagat, shtesat dhe kompensimet e tjera të të punësuarve dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të FKPK-së. “Ju njoftojmë se Bordi Drejtues ka formuar një komision ad-hoc i cili nga çdo aspekt, para së gjithash nga aspekti ligjor, strategjik e praktik, do t’i analizojë me kujdes mundësitë, përfitimet dhe pasojat e implementimit të rekomandimeve të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Duhet të mos harrojmë e as anashkaluar se sa i përket aspektit profesional dhe ekspertizës brenda Trustit, flasin vetë rezultatet prej 400 milionë eurosh kthim pozitiv prej themelimit të institucionit”, është shprehur Havolli.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme