Donald Tusk, kryetar i Këshillit Evropian, ka folur para mediave pas përfundimit të takimit me Kryetarin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Tusk falënderoi Maqedoninë për kontributin në përballjen me krizën e refugjatëve dhe ofroi mbështetje për vendin në këtë drejtim, në disa aspekte, si atë njerëzor ashtu edhe financiar.
Në lidhje me krizën politike, Tusk tha se është në duar të Maqedonisë ta zgjidhë krizën politike dhe se kur të arrihet kjo, atëherë mund të kërkohet ndihma e Bashkimit Evropian.
”Ju jeni në pozitën më të mirë që të tregoni se sa ishte me rëndësi që të mbyllet Shtegu Ballkanik i refugjatëve. Dua t’u bëj të sigurtë se bashkëpunimi në këtë drejtë do të vazhdojë në të ardhmen. Mbetemi të përgatitur që t’u ndihmojmë për nevojat në terren, qofshin në forma pajisjesh apo burime njerëzore, apo ndihmë komunave të vendit.
Erdha me porosi nga liderët dhe institucionet e BE-së. Përkushtimi i BE-së për perspektivën evropiane tuaj është e pahamendshme. Puna drejt arritjes së anëtarësimit është faktor i bashkimit në vendin tuaj dhe shpresoj se do ta ndiqni këtë rrugë. Ivanov, u përgjigja në letrën tuaj në fillim të marsit për dalje nga kriza politike që e mban vendin tuaj mbrapa rrugës euroatlantike. Është në duar tuaj që të gjeni zgjidhje bazuar në parime demokratike dhe mendje të shëndoshë. Kur të gjeni zgjidhjen e krizës atëherë kërkoni mbështetjen tonë”, deklaroi Tusk.