Ditën e sotme u vu në pranga Ermes Hoxhalli, 20 vjeçari i cili mashtronte nxënësit dhe institucionet arsimore për programe mësimore e fluturime falas drejt Shteteve të Bashkuar të Amerikës.
Mashtrimi bëhej përmes programe të krijuara prej tij, të quajtua “Let’s Talk Together US 23” dhe “Let’s Talk Together US 24”.
Hoxhalli akuzohet për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, teksa i është gjykata e Tiranës ka lëshuar masë sigurie “arrest në burg”.
Ambasada Amerikane ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar, duke falenderuar institucionet e përfshira në hetimin e këtij rasti. Po kështu falenderim i veçantë erdhi për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, kreun e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e uniformave blu të përfshirë në zbardhjen e ngjarjes.
Ambasada Amerikane në Tiranë:
Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës dhe i përgëzon për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë.
Njësia e Hetimeve Kriminale Ndërkombëtare dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale të Policisë së Shtetit kanë një njësi të posaçme që kryen hetime të përbashkëta.
Një hetim gjashtë-mujor nga kjo njësi speciale kulmoi me arrestimin e djeshëm të një individi që mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës.
Ambasada falënderon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, kreun e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit për ndihmën e dhënë për këtë çështje.
Kujtojmë se me datë 6 qershor, ambasada amerikane ngriti alarmin për këtë skemë mashtrimi të organizuar, duke sqaruar se nuk ka asnjë lidhje me institucionet amerikane.
“Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese.
U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën.”- njoftoi ambasada e SHBA.
Ndërkohë shtetasja V.L., zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, së bashku me shtetasen K.J., u vunë nën hetime nga autoritetet, të dyshuara si të përfshira në skemën kriminale të mashtrimit.
“Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës, për ushtrimin e kontrollit në banesën e shtetases V. L., zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.
Shtetasja V. L. është vënë në hetim, bashkë me shtetasen K. J., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë krijuar një skemë mashtrimi, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24.”, njoftoi policia asokohe.
LEXO EDHE:
EMRI/ Mashtronte nxënës e mësues me premtimin e udhëtimeve falas në SHBA, vihet në pranga 20 vjeçari