Bashkim Osmani (56-vjeç), i dyshuari si kreu i mafies dhe mbreti i kokainës, siç e quanin mediat gjermane, është liruar nga burgu i Palmës pasditen e djeshme pasi ka paguar një garanci prej 400 mijë eurosh, raportojnë mediat spanjolle.
Osmani ka fjetur mbrëmë në vilën e tij në Camp de Mar, pasi kishte kaluar gati tre muaj në qeli. Kreu i gjykatës në Palma, i cili po trajton çështjen e tij, ka lëshuar dje një urdhër, i cili zëvendëson burgun e përkohshëm me një sërë masash sigurie.
Osmani nuk do të lejohet që të largohet nga Mallorca. Për të siguruar qëndrimin e tij në ishull, gjykata i ka konfiskuar pasaportën dhe ai do të duhet të paraqitet në gjykatë çdo datë 1 dhe 15 të muajit.
Osmani biznesmen i njohur, me origjinë nga Kosova, ndodhet në burg që nga 2 marsi pas arrestimit në Kroaci. Ai u arrestua më 15 shkurt në kuadër të një hetimi të përbashkët të Gardës Civile dhe Policisë Kombëtare.
Aksioni policor u zhvillua njëkohësisht në disa vende evropiane dhe rezultoi në arrestimin e 45 personave, shtatë prej të cilëve në Majorka. Policia evropiane dhe FBI morën pjesë në hetime, së bashku me hetuesit spanjollë.
Transferimi i Baskim Osmanit nga Kroacia në Mallorca është bërë me ndalesë në Zvicër.
Nga aeroporti i Palmës deri te Komanda e Gardës Civile, ai shoqërohej nga një autokolonë me masa të rrepta sigurie. Prej aty ai u dërgua në gjykatë dhe gjatë paraqitjes së tij para gjykatës Osmani u distancua plotësisht nga çdo aktivitet i paligjshëm.
Ai dyshohet se ka qenë drejtues i një rrjeti të madh për pastrimin e shumave të mëdha të parave nga importi i tonëve kokainë të importuar direkt nga Amerika e Jugut. E megjithatë tashëm biznesmeni, i cili prej fillimit i kishte mohuar akuzat, është duke shijuar lirinë e tij.