Kryeministri Edi Rama u duk i ashpër në deklarata pas protestave të dhunshme në Kukës ku u dogjën pikat e taksimit për autostradë, por i tillë ai po tregohet edhe në vendime.
Ani pse gjithçka u shkatërrua në zonën ku konsorciumi i Rrugës së Kombit ka vendosur sportelet për të marrë paratë e taksës, aty ka nisur puna për rivënien e tyre në funksion, shkruan gazetametro.net.
Këtë gjë e kanë bërë të ditur një grup i organizuar nga Kukësi, të cilët ishin pjesëmarrës edhe në protestë.
“Ka rinisur puna për rivënien në funksion të traut ku do të paguhet taksa 5 euro në Rrugën e Kombit, dy ditë pas protestës së fuqishme qytetare, ku u shkatërruan dhe dogjën sportelet e kalimit”, kanë kumtuar ata.
Por, shumë qytetarë sërish kanë kërcënuar se më rivënien në funksion të sporteleve për të marrë taksën, ata do të organizohen sërish.
Ndërkohë, Edi Rama ka marrë kritika të mëdha nga opozita shqiptare e po ashtu edhe nga fytyra publike të Kosovës rreth çmimit të lartë të taksës.
Ndryshe, vendimi për të marrë paratë e qytetarëve që kalojnë në autostradë nisi së zbatuari javën që shkoi, por pak ditë pasi nisi edhe u ndal pasi kukësianët përmes protestave të dhunshme dogjën sportelet./gazetametro.net