U konstatua me armë, drogë e shufër metalike me mbishkrimin ‘Policia’, përfundon në Fabian Muçollari! Ja profili i rrezikshëm i të riut që në moshën 17-vjeçare ekzekutoi bashkëmoshatarin e tij

Policia e Pogradecit ka vënë në pranga 27-vjeçarin Fabian Muçollari, i cili rezulton i dënuar më parë për vrasje dhe tentativë vrasjeje. Arrestimi i tij erdhi pas një operacioni të mirëorganizuar, që u bazua në informacionet operative.


Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Muçollari ishte në ndjekje për shkak të dyshimeve se mbante armë zjarri pa leje dhe shpërndante lëndë narkotike në qytet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin dhe banesën e tij në lagjen nr. 1 të qytetit, si dhe në çantën personale, policia i gjeti dhe sekuestroi:

  • 2 armë zjarri tip pistoletë
  • 1 silenciator
  • 3 krehra armësh
  • 1 shkop metalik
  • 1 shufër metalike me mbishkrimin “Policia”
  • 1 pako me lëndë narkotike të dyshuar si kokainë
  • 5 aparate celularë
  • 2 karta banke
  • 1 pasaportë biometrike
  • Një shumë parash në lekë, euro dhe dollarë australianë

Gjithashtu, policia bëri me dije se është sekuestruar edhe automjeti i tij.

Njoftimi i policisë:

Operacion për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit të koduar “Cold Hand”, u sekuestruan 1 pako me lëndë narkotike kokainë, 2 armë zjarri, municion luftarak, një shkop metalik, një shumë lekësh dhe një automjet.

Policia vë në pranga poseduesin e tyre, i dënuar më parë për “Vrasje” dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe i punës së pandërprerë, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, për një shtetas  që posedonte armë zjarri dhe shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Pogradecit, shtetas me precedent kriminal,  specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, Seksionit të Krimeve të Rënda dhe Shqiponjat,  organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cold Hand”.

Gjatë operacionit, shërbimet Operacionale të DVP Korçë kapën dhe vunë në pranga shtetasin F. M., 27 vjeç, banues në Pogradec, me rrezikshmëri shoqërore.

Gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës në lagjen nr. 1, Pogradec, shtetasit F. M. iu gjetën në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, 2 armë zjarri pistoletë, 1 silenciator, 3 krehra, 1 shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 5 aparate celularë, 2 karta banke, 1 pasaportë biometrike dhe një shumë parash (lekë, euro dhe dollarë australianë).

Gjithashtu u sekuestrua  dhe automjeti i tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Mucollari ne sallen e gjyqit

Fabian Muçollari, i arrestuar së fundmi nga Policia e Pogradecit për armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje narkotikësh, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi më 14 shkurt të vitit 2016, në moshën 17-vjeçare ai vrau bashkëmoshatarin e tij, Fabio Hila, në një ngjarje që tronditi qytetin e Pogradecit.

Krimi ndodhi pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale për shkak të një vajze, shoqe e ngushtë e autorit. Tensioni mes dy të rinjve, që njiheshin vetëm virtualisht, përshkallëzoi në një përballje të drejtpërdrejtë përballë një lokali në qendër të qytetit.

Sipas dosjes hetimore, Muçollari kishte lënë një takim me Hilën për “sqarim”, por mbërriti i armatosur. I veshur me kostum sportiv, ai mbante armën të fshehur, ndërsa viktima ndodhej në verandën e lokalit bashkë me disa shokë. Pasi situata u tensionua, një nga të rinjtë hodhi një karrige drejt Muçollarit, i cili nxori armën. Fabio Hila u përpoq të fshihej brenda lokalit, por autori e ndoqi dhe e qëlloi me tre plumba, njëri prej të cilëve i preku zemrën, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pamjet filmike nga kamerat e sigurisë dokumentuan gjithë ngjarjen, përfshirë momentin kur autori largohet me armën në dorë. Muçollari u arrestua disa minuta më vonë në afërsi të vendit të krimit.

Arrestimi i Muçollarit disa vite më parë

Në dëshminë e dhënë për hetuesit, i riu deklaroi:

“Fabion e vrava se bënte si epror, më preku në sedër. Më foli keq dhe nuk e durova. Shkova mora armën e fshehur në oborrin e shtëpisë dhe e qëllova.”

Muçollari tregoi se armën e kishte gjetur dhe e mbante të groposur në zonën e Vërdovës, pas shtëpisë së tij. Ai theksoi se ndjehej i fyer nga mënyra se si Fabio Hila e kishte trajtuar në rrjetet sociale dhe gjatë bisedës telefonike që parapriu përplasjen fizike.

Ngjarja u regjistrua pikërisht në ditën e parë të shkollës, duke tronditur qytetin e Pogradecit.

Sot, pas rreth nëntë vitesh nga ajo vrasje, Fabian Muçollari është arrestuar për një tjetër aktivitet të paligjshëm, posedim armësh dhe lëndësh narkotike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme