Ka mbërritur në Gjykatë për njohjen me masën e sigurisë Ylber Jaku, 41 vjeç, i dyshuari kryesor për vrasjen e Reshit Sallahut, 34 vjeç, ngjarje e ndodhur më 7 maj në fshatin Plan të Hasit.
Sipas hetimeve paraprake, Jaku, i cili jetonte në Angli, është kthyer në Shqipëri për të kryer krimin në shenjë hakmarrjeje, vetëm dy ditë pasi motra e viktimës, Artjola Sallahu, 21 vjeç, kishte dhunuar rëndë prindërit e autorit me sëpatë.
Krimi ka ndodhur pranë banesës së viktimës, ku autori e ka pritur në pritë dhe e ka qëlluar me pushkë plot 8 herë, duke i marrë jetën në vend. Pas ngjarjes, Jaku është dorëzuar vetë në banesën e tij, ku e ka pritur policinë bashkë me armën e krimit.
Më herët, ai kishte vizituar prindërit e plagosur në Spitalin Ushtarak dhe, sipas burimeve, është nisur menjëherë drejt Hasit pas vizitës, për të kryer aktin e rëndë. Madje, në rrugën drejt Shqipërisë, ai kishte paralajmëruar krimin në rrjetet sociale përmes një fotografie.
Një ditë pas vrasjes, më 8 maj, Gjykata e Kukësit caktoi masën “arrest shtëpie” për Artjola Sallahun, për sulmin me sëpatë ndaj prindërve të Ylber Jakut.
Burime të besueshme bëjnë me dije se konflikti mes dy familjeve fqinje ka zgjatur për më shumë se 20 vjet dhe është denoncuar dhjetëra herë pranë institucioneve, por pa ndërhyrje konkrete për ta zgjidhur. Ky përshkallëzim i dhunshëm solli pasoja tragjike: një të vrarë, dy të plagosur dhe dy persona të arrestuar.