Një 28-vjeçar nga Tirana është plagosur nga helika e skafit me të cilin lundronte. Ngjarja mësohet se ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 14:23.
Pas telefonatës për ndihmë në Sallën Operative, ka qenë skafi i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, që ka gjetur të dëmtuarin në afërsi të Kepit të Qefalit dhe e ka imbarkuar. Pasi është sjellë me urgjencë në Portin e Sarandës, ai është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit të Sarandës, ku ka marrë ndihmën e parë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se i dëmtuari është shtetasi me inicialet A. T., 28 vjeç, banues në Tiranë. Mjetin lundrues ai e kishte marrë me qira në afërsi të plazhit të Lukovës.