U vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Gjykata Themelore e Prishtinës u ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Këtë për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gashi ka theksuar se tre të dyshuarve u është vazhduar paraburgimi deri më 29 shkurt 2024.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P, dhe K.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, ashtu që tre të pandehurve iu vazhdohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin. Masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 31.12.2023 deri më datë 29.02.2024”, tha Gashi.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Rasti i vrasjes së Liridona Ademaj Murseli fillimisht u raportua si grabitje, ku mbeti e vrarë një grua, e pas hetimeve të kryera dyshimet janë që vrasja e saj është porositur nga bashkëshorti i saj, i cili i ka premtuar 30 mijë euro dorasit Granit Plava.

Në momentin kritik, në veturën ku ndodhej e ndjera ishte edhe burri i saj, Naim Muresli, i dyshuar, dhe dy fëmijët e tyre.

Bashkëshorti i Liridona Ademajt, Naim Murseli dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Plava për “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa ish-pjesëtari i FSK-së Kushtrim Kokalla për “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë.

Për këtë rast në paraburgim gjendet edhe T.D., i cili dyshohet se u ka shitur armën të dyshuarve Murseli dhe Plava.

© KOHA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme