Kosova këtë vit po shënon 19-vjetorin e hyrjes së NATO-s në Prishtinë dhe largimin e ushtrisë serbe nga Kosova.
Rrustem Mustafa-Remi ish-komandant i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, ka kujtuar 19-vjetorin e hyrjes së NATO-s në Prishtinë dhe marshimin e ushtarëve të UÇK-së në kryeqytet.
“Dy elemente janë që kemi marrë vendime të shpejta për të hyrë më herët në Prishtinë. E para është se armiku gjithherë kur është ikur ka lënë dëme të mëdha, e dyta ka qenë befasuese që forcat ruse hyn në Kosovë, kjo ishte befasi edhe për aleatët”, tha ai sot emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas tij vet lufta ishte fenomen i rrezikshëm. Ai ka kujtuar 11 qershorin ditën kur ushtarët e UÇK-së, u futën në Prishtinë.
“Me urdhër lufte dhe urdhër operativ kemi hyrë në Prishtinë me brigadat tona”, theksoi ai. Rrustem Mustafa-Remi ish-komandant i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, tha se kanë pasur koordinim me aleatët. Sipas tij shqiptarët janë falënderuar për NATO-në që kontribuuan për lirinë e Kosovës.