Udhëtimet zyrtare dhe mëditjet e luksit që po i kushtojnë buxhetit të shtetit

Udhëtimet zyrtare jashtë vendit, mëditjet dhe numri i madh i të përfshirëve nëpër delegacione zyrtare, i kushtojnë buxhetit të Kosovës shuma të majme parash, që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, përbën një luks më vete.

Zyrtarët e shtetit më të varfër në Evropë edhe një dekade pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vazhdojnë të shpaguhen me dokumentet e “siç quheshin dikur të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes”, që ishin hartuar dhe fuqizuar në kohën e administratës së Kombeve të Bashkuara, përkatësisht UNMIK-ut.

Për shkak të jotransparencës dhe mungesës së kontrollit të shpenzimeve, udhëtimet zyrtare dhe mëditjet, jo rrallë keqpërdoren nga zyrtarët, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Me paratë e buxhetit, këta zyrtarë, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, marrin me vete këshilltarët, asistentët apo në disa raste edhe anëtarët e familjeve të tyre për t’i kryer obligimet zyrtare dhe për të “shijuar luksin”, duke u akomoduar nëpër hotele të shtrenjta në vende të ndryshme të botës.

Njëherësh, për këto udhëtime, ata marrin edhe mëditje të mira nga buxheti, përkatësisht taksapaguesit e Kosovës.
Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se është absurde që ende është në fuqi lista e mëditjeve e hartuar qysh në kohën e administratës së UNMIK-ut, në vitin 2004.
Në bazë të kësaj rregulloreje, vlera e tarifave të mëditjeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditjet janë më të larta për vizitat që bëhen nëpër vendet që shtrihen në hartën gjeografike më afër Kosovës.

“Këtu mund të vërejmë diskrepancën e madhe në shumën e mëditjeve që marrin zyrtarët qeveritarë. Më tepër marrin mëditje për një udhëtim në Shqipëri sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është absurde që shuma më e lartë e mëditjeve të jetë për në Shqipëri. Por, kjo është bërë enkas vetëm e vetëm për të përfituar sa më tepër, pasi numri më i madh i takimeve deri më tani është zhvilluar në Shqipëri”, tha Murati për Radion Evropa e Lirë.

Në bazë të kësaj rregulloreje, qëndrimi për vizitë zyrtare në Shqipëri, me një shpenzim ditor prej 209 eurosh bëhet më i leverdishëm sesa ai në Kanada, ku pavarësisht distancës, zyrtarët parashihet të paguhen me 180 euro në ditë.
Kurse në një vend tjetër, në Evropë, si në Austri apo Danimarkë, qëndrimi brenda një dite për një zyrtar kosovar është 198 euro, respektivisht 179 euro, kurse në Gjermani 255 euro, përderisa në Australi 160 euro.
Ndërkaq, mëditjet që kalojnë shumën prej 320 eurosh janë ato në Itali, Japoni dhe Izrael, ndërsa në Gjeorgji vizitat janë më shtrenjta, ku zyrtarët paguhen me nga 400 euro.

Në këtë listë ende figuron edhe Jugosllavia, e cila tashmë nuk ekziston si shtet, ku parashihet mëditja prej 204 eurosh në ditë.
Duke marrë për bazë këto tarifa për mëditje, Qëndrim Bytyqi, zyrtar ligjor në organizatën joqeveritare “FOL”, thotë për Radion Evropa e Lirë se dokumenti i cili është hartuar në kohën e UNMIK-ut, gjithsesi duhet të ndryshojë.
Përveç ndryshimit të vlerës se mëditjeve, ai thotë se duhet të specifikohet edhe arsyeja e pjesëmarrjes se zyrtarëve në udhëtime jashtë shtetit.

“Sepse ne jemi dëshmitar që në shumicën e rasteve këto mund të shfrytëzohen edhe për qëllime turistike dhe këto mbulohen nga taksapaguesit. Prandaj, këto duhet të ndryshohen duhet të dihet saktë qëllimi i vizitës zyrtare dhe të caktohet numri dhe mos të shkohet numër aq i madh. Ka pasur raste kur në një delegacion kanë marrë pjesë deri në 60 zyrtarë, për të cilët janë shpenzuar mjete të mëdha nga buxheti, e të cilat kanë mund të përdoren për projekte tjera më të mira”, tha Bytyqi.
Ndryshe, edhe Auditori i Përgjithshëm, në një shkresë dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj, ka kërkuar vëmendje për trajtimin me prioritet nga ana e Qeverisë të Udhëzimit Administrativ 2004/2007 për udhëtimet zyrtare.
Ky udhëzues, sipas Auditorit të Përgjithshëm,nuk i përgjigjet kërkesave të kohës dhe si i tillë nuk kontribuon në menaxhimin e rregullt, të shëndoshë dhe të mirëfilltë të parasë publike.

Sidoqoftë, përveç të drejtës së kompensimit material për mëditje gjatë udhëtimeve zyrtare, disa nga zyrtarët e shtetit, sidomos deputetët e Kuvendit të Kosovës, krahas pagës mujore, marrin edhe të ardhura shtesë për pjesëmarrje në seancat dhe komisionet e Kuvendit, mbulimin e shpenzimeve për telefona dhe derivate të naftës dhe për punën në trupa të tjerë jashtë veprimtarisë së rregullt të tij.
Të 120 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pagës mujore prej rreth 1500 eurosh në muaj, për dy seanca gjatë muajit, ata marrin 240 euro.
Kurse, për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fitojnë shtesa prej 160 eurosh.
Kështu, si tërësi, të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë edhe mëditjet, arrijnë apo edhe e tejkalojnë shumën prej 2000 eurosh.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme