Udhëtonin me “Jaguar”/ “Shqiponjat” kapin tre të rinjtë në Tiranë! Sekuestrohen armë të llojeve të ndryshme dhe lëndë narkotike!

Një grup të rinjsh që udhëtonin me një automjet luksoz tip “Jaguar” përfunduan në prangat e Policisë së Tiranës.

Operacioni i koduar “Flagranca”, u zhvillua në zonën e Saukut në kryeqytet, ku pas kontrollit, të rinjve iu gjetën armë zjarri.

AKSIONI

Oficerët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të dy komisariateve, organizuan aksionin për arrestimin e tyre pas informacioneve se në këtë aks udhëtonin persona të rrezikshëm. Pasi ndaluan automjetin e shtrenjtë, dy prej të rinjve që ishin brenda tij u arrestuan nga policia, ndërsa i tretë u procedua për mos kallëzim krimi. Në pranga përfunduan shtetasit Edison Manaj dhe Enea Shima, përkatësisht, 26 dhe 19-vjeç, ndërsa është proceduar penalisht në gjendje të lirë shoku i tyre, Ergys Hidri 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa 19-vjeçari akuzohet gjithashtu edhe për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

SHOFERI I “JAGUAR” SHPËTON

Pas ndalimit të automjetit me të cilën udhëtonin tre të rinjtë në afërsi të “TEG”-ut në kryeqytet, forcat e rendit kanë zhvilluar kontrolle në mjetin që drejtohen nga Ergys Hidri. Gjatë kontrolleve, shtetasit, Enea Shima i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë me krehër me fishekë si dhe municion luftarak. Gjithashtu, 19-vjeçarit i është gjetur edhe lëndë narkotike kanabis sativa, për të cilën policia nuk përcakton sasinë e kapur dhe nëse i riu e kishte përdorim vetja apo për shitje të saj. Kontrollet nuk kanë përfunduar këtu, pas efektivët e “Shqiponja” kanë zhvilluar kontrolle edhe në banesën e tyre. Ndërsa në shtëpinë e drejtuesit të mjetit nuk janë gjetur sende të paligjshme, në banesën e pasagjerit tjetër të “Jaguar”-it, janë gjetur armë dhe municione. “Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Edison Manaj, nga shërbimet e Policisë, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri kallashnikov, krehra me municion luftarak dhe një palë dylbi”, sqaroi Policia. Nuk dihet ende nëse të rinjtë janë përfshirë në ngjarje kriminale.

DEPOJA E ARMËVE

Dy persona u arrestuan nga policia e Tiranës më shumë se dy javë më parë pas zbulimit të një depoje armësh në zonën e Yzberishtit në kryeqytet. Në pranga përfunduan Ervis Bakallin, 30 vjeç, dhe Dorian Kalo, 45 vjeç, banues në Tiranë. Operacioni i koduar “Silent” zbuloi bazën në banesën e Bakallit, ku prodhoheshin nëpërmjet tornos, silenciatorë dhe modifikoheshin armët e zjarrit. Si rezultat u sekuestruar një arsenal armësh të llojeve pistoletë e kallashnikov, silenciatorë, municion luftarak, pjesë të ndryshme armësh etj./GSH

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme