Në vigjilje të 10-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, në ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes së re për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në prezencën e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, që vijnë nga Komuna e Deçani dhe të kryetarit të Komunës, është nënshkruar kontrata për fillimin e punimeve në rrugën Deçan – Plavë, e cila do të financohet me rreth 12 milionë euro.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Sipas tij, edhe kjo marrëveshje është në vazhdën e sukseseve të Qeverisë “Haradinaj”.
“Kjo rrugë do të përafroj edhe më tepër shqiptarët që jetojnë në të dyja anët e kufirit, do të lidhë dy shtetet tona, Kosovën dhe Malin e Zi, por mbi të gjitha do të ndikojë në zhvillimin e turizmit si një arterie ndër më kryesoret për Deçanin. Duke i uruar qytetarët e Deçanit për ketë zhvillim pozitiv, dëshiroj të them se Qeveria Haradinaj është e interesuar që të investojë në infrastrukturën rrugore në të gjithë vendin, gjithnjë duke u bazuar në nevojën e qytetarëve por edhe në strategjinë tonë për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Lekaj./Sakte.net