Ukraina teston raketat amerikane

Forcat e armatosura ukrainase kanë testuar për herë të parë raketat e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara. Për Kivein dhe Uashingtonin, testet nuk kanë qëllime agresive, por Moska mendon se një lëvizje e tillë do të nxisë dhunën.

Ukraina ka testuar të martën sistemin e raketave “Xhejvelin”, për herë të parë që kur u pajis me armatime nga Shtetet e Bashkuara për t’u mbrojtur në konfliktin me separatistët pro-rusë.

Uashingtoni ka qenë një ndër mbështetësit kryesorë të Kievit që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, që pasoi me nisjen e luftimeve në provincën lindore të Donbasit e që deri më sot ka marrë jetën e 10 mijë njerëzve.

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë të bindur se sistemi i raketave anti-tank do të ndihmojë palën ukrainase të ndërtojë një sistem mbrojtës efikas dhe afatgjatë. Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se raketat “Xhejvelin” nuk mund të përdoren për të marrë territor, por Rusia është e mendimit se furnizimi i saj do të ndikojë në destabilizimin e mëtejshëm të situatës dhe do të inkurajojë përdorimin e forcës.

Testet u kryen në veri të Ukrainës, shumë larg nga vija e frontit. Presidenti Petro Poroshenko njoftoi lajmin i pari në Twitter.

“Më në fund erdhi dita! U jam mirënjohës Shteteve të Bashkuara për vendimin e palëkundur për të armatosur Ukrainën”, deklaroi Poroshenko.

Ndërkohë, në lindje të Ukrainës kanë vijuar luftimet pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi dhe përpjekjeve diplomatike për paqen.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme