Autoritetet ukrainase thanë se të paktën katër persona u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të mbrëmshme ruse në rajone të ndryshme të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev, transmeton Anadolu.
“Sulmi i 14-të ajror në kryeqytet që nga fillimi i majit! Sot, armiku vendosi të ‘urojë’ popullin e kryeqytetit për Ditën e Kievit me ndihmën e dronëve të tyre vdekjeprurës”, tha Serhiy Popko, kreu i Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, në një deklaratë në Telegram.
Popko pretendon se sipas informatave paraprake, 40 dronë rusë u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, duke thënë më tej se një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos në lagjen Holosiivskyi. Ai gjithashtu tha se një zjarr është shkaktuar në një magazinë në të njëjtën lagje, duke plagosur edhe një person.
Ndërkohë, guvernatori i Donetsk-ut, Pavlo Kyrylenko tha se një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën shkaku i sulmeve ruse në ditën e kaluar. Nga ana tjetër, guvernatori i Kharkiv-it, Oleh Synyehubov tha në Telegram se dy persona u vranë dhe tre u plagosën në rajon.
“Në fshatin Shepuvate, një grua 61-vjeçare u vra për fat të keq dhe një burrë 60-vjeçar u plagos gjithashtu si rezultat i granatimeve”, tha Synyehubov. Ai më tej tha se edhe një burrë 60-vjeçar u vra si rezultat i granatimeve në vendbanimin Dvorichna dhe se dy të tjerë u plagosën në fshatrat Fyholivka dhe Tsyrkuny.
Gjithashtu, një person u plagos në rajonin Kherson, tha guvernatori i rajonit, Oleksandr Prokudin, duke shtuar se 119 persona u evakuuan nga rajoni gjatë ditës së kaluar.
Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, lufta Rusi-Ukrainë, e cila është tashmë në muajin e saj të 15-të, ka shkaktuar vdekjen e 8.895 civilëve dhe plagosjen e 15.117 të tjerëve.