Këtyre ditëve në “Gazetën Zyrtare” do të publikohen ndryshimet e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, kurse marketet do të kenë 45 ditë për t`u përgatitur dhe në ueb-faqet e tyre t`i publikojnë të gjitha çmimet e produkteve që ia kanë në listën e shitjeve – tha Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Paralajmërohet edhe një shportë tjetër konsumatore, bëhet fjalë për “Shportën e Ramazanit”.
Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, paralajmëroi “Shportën e Ramazanit” dhe kontrolle të shtuara në subjektet e shitjes me pakicë dhe shumicë.
“Qytetarët tashmë do të mund vet të zgjedhin se ku do t’i shpenzojnë paratë e tyre do të dijnë për secilin produkt, në cilin treg dhe në çfarë çmimi do të shitet. Do të kenë qasje direkte në çmimet e produkteve dhe të gjitha marketeve të cilat do të duhet t’i bëjnë publike në faqet e tyre. Një masë e tillë do të çojë në rritjen e konkurencës mes shitësve me pakicë dhe ulje të çmimeve të produkteve”, tha Durmishi.
Durmishi paralajmëroi edhe dënime të rrepta për të gjithë subjektet të cilat nuk do t’a respektojnë vendimin e Qeverisë për uljen e çmimeve, respektivisht ngrirjen e marzheve për produktet bazë ushqimore.
“Deri në fund të kësaj jave është planifikuar vëzhgimi i mbi 1 mijë objekteve tregtare në të gjithë vendin pas së cilit inspektoriati shtetërorë I tregut do të nxjer të dhëna nëse do të kemi mos-përputhje nga tregje të caktuara të cilët nuk do të respektojnë masën të cilën e ka sjell Qeveria. Gjobat të cilët do të varijojnë për të gjithë ato tregtarë të cilët nuk do të respektojnë këtë vendim është nga 500 deri më 10 mijë euro duke përfshirë edhe mbylljen e marketeve për 15 ditë”, deklaroi Durmishi.
“Shporta e Ramazanit” është vazhdimësi e masave të paralajmëruara nga qeveria.
Masë e ngjajshme u aplikua edhe për Vitin e ri po efektet ishin minimale. Pas shportës së Ramazanit qeveria ka paralajmëruar të njejtën edhe për festën e Pashkëve. /tvklan.mk