Ultimatumi i parë i Veselit për kryeministrin Mustafa

Mesazhi i tij para gazetarëve ishte i qartë: Ose Demarkacionin, ose zgjedhjet. Topi është te kryeministri Mustafa, i cili si duket nuk i ka votat për këtë çështje.

 

Pas tri vjetësh, partneriteti PDK – LDK po lëkundet seriozisht. Paraqitja e sotshme e kryetarit të Kuvendit, që është edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, lidhur me demarkacionin, është mesazhi i parë për partnerin: Ose demarkacionin, ose zgjedhje.

Veseli para gazetarëve ka thënë se nuk ka kuptim vazhdimi i koalicionit, nëse nuk merren vendime në Kuvendin e Kosovës.

Ai këtë e ka thënë, duke i dërguar sinjale partnerit të tij, Isa Mustafës, i cili me gjasë edhe më tutje nuk i ka votat e duhura.

Ky mesazh duket edhe më serioz, kur kihet parasysh iniciativa e partisë Nisma, për një mocion mosbesimi për këtë qeveri. Mocionin deri tash e kanë mbështetur edhe disa deputetë të PDK-së. Sigurisht që numri i mbështetësve për mocionin do të rritet, nëse Mustafa dhe LDK  nuk do të reagojnë shumë shpejt për të kaluar demarkacionin në Kuvendin e Kosovës, i cili është i lidhur ngusht me çështjen e vizave.

Javët e fundit Veseli ka qënë mjaft aktiv edhe brenda partisë, e edhe në takime me qytetarë. Kjo gjë ka kulmuar në Konventën e PDK-së, kur ai u nominua si kandidat për kryeministër të Kosovës.

Polemikat në mes të dy partnerëve në qeverisje nuk ka qënë direkte, por as LDK nuk ka qëndruar duarkryq në gjithë këtë fushatë. Ata i kanë rikthyer në debat publik vrasjet e pazbardhura të pasluftës. Një hapje e tillë e temave është aludim direkt në partnerin, PDK-në, duke pasur parasysh historinë e kësaj çështjeje.

Marrë parasysh të gjitha këto, muaji prill duket kritik për të ardhmen e koalicionit. /GazetaExpress/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme