Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar pasi kryeministri Rama kritikoi publikisht vendimet e dy gjykatësve të Tiranës, Klarent Demiri dhe Hazbi Balliu.
Në një deklaratë për mediat, Unioni i Gjyqtarëve shprehet se kryeministri po “anatemon personalisht gjyqtarët për vendimmarrjet dhe kthyer ushtrimin e detyrës kushtetuese në një gjyq publik”.
Sipas tyre, ai po denigron figurën e gjyqtarëve individualë, por edhe po ushtron presion të hapur ndaj trupës gjyqësore në tërësi.
“Deklarata, komente dhe ndërmerren iniciativa, të cilat nuk janë aspak parimore, nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor, por cënojnë drejtpërdrejt integritetin e gjyqtarëve, duke i fyer, deformuar dhe keqinterpretuar faktet, çështjet ligjore, apo procedurat e ndjekura”, thuhet ne reagimin e tyre.
UGJSH kërkon edhe një reagim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që të mbajë një qëndrim ndaj ‘sulmeve që iu bëhen gjyqtarëve për shkak të detyrës, pavarësisht se nga vijnë ato’.



