Pas përjashtimit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), ka reaguar Unioni i Studentëve të Kosovës (USK).
Në reagimin e tyre USK thotë se “jemi të shqetësuar dhe ndihemi të pasigurt me perspektivën e shkollimit tonë pasi Agjencia e Akreditimit te Kosovës (AKA) është përjashtuar nga ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), për faktin se tash e tutje kjo nënkupton se programet tona nuk kanë akreditim ndërkombëtar dhe si pasoj mund paraqiten problemet e para për studentet kosovar, të cilët dëshirojnë t’i vazhdojnë studimet në Universitetet e Evropës”.
USK thotë se nëse vërtetohet se përjashtimi i AKA-së nga EQAR është bërë për shkak të shkarkimit të bordit nga ana e Ministrit aktual të arsimit atëherë kjo bëhet edhe me shqetësuese, sepse Ministria në vend që të punojë për rritjen e cilësisë dhe afirmimin ndërkombëtar të arsimit kosovar, ajo ka bërë të kundërtën me ndërhyrje politike, me c’rast e ka dëmtuar drejtpërdrejt arsimin universitar të Kosovës në planin ndërkombëtar”.
USK reagon ashpër ndaj kësaj ndërhyrje dhe kërkon urgjentisht sqarime nga Ministri lidhur me këtë.
“Ne si përfaqësues të studentëve në gjithë Republikën e Kosovës kërkojmë dhe i bëjmë me dije Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që të ndërmarrin hapa dhe të paraqesin mendimin e tyre për gjitha këto vendime që po dëmtojnë rëndë arsimin dhe shkencën duke vepruar në baza politike e partiake, me politika ditore dhe të pamenduara”.
“Ne si studentë assesi nuk pajtohemi me këto ndërhyrje politike në çështjet e arsimit dhe sigurisht ndaj saj do të reagojmë konform vendimeve që do t’i marrim në të ardhmen si Union”, thuhet në reagim.