Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit “Luarasi” është renditur ndër më të mirët në një nga ngjarjet më prestigjioze akademike në fushën e drejtësisë, në konkursin e gjyqit simulues të organizuar nga “Halimi Foundation”.
Në këtë garë ndëruniversitare morën pjesë 14 fakultete të drejtësisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke i dhënë aktivitetit një karakter të gjerë rajonal dhe gjithëpërfshirës.
Konkursi, i cili zhvillohet çdo vit, synon të testojë njohuritë teorike dhe praktike të studentëve nëpërmjet simulimit të një procesi gjyqësor, duke i vendosur ata përballë sfidave reale të praktikës juridike. Kjo garë është një mundësi unike për studentët që të demonstrojnë kompetencat e tyre në të drejtën procedurale, argumentimin ligjor dhe oratorinë gjyqësore.
Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit “Luarasi” u rendit në vendin e dytë, duke u dalluar për profesionalizmin, përgatitjen dhe performancën e shkëlqyer në kazuse penale dhe civile të përfaqësuesve të tij studentë si Xhina Feleqi, Fausta Gjika dhe Semela Dedndreaj.
“Një ekip i jashtëzakonshëm vajzash”, i quajti Jorida Tabaku, deputete e PD-së dhe njëherazi anëtare e jurisë, studentet e Universitetit “Luarasi”, të cilat ia dolën me sukses të renditen në vendin e dytë falë formimit dhe përgatitjes së shkëlqyer të marrë në bankat e universitetit.
Përveç vlerës monetare të çmimit, ky sukses i sjell Universitetit “Luarasi” edhe një përfitim të rëndësishëm akademik dhe profesional. Kjo pasi studentja Fausta Gjika ka fituar të drejtën për të kryer një praktikë profesionale pranë Këshillit të Europës, një mundësi e vyer për zhvillim të mëtejshëm profesional duke përafruar edhe përvojën ndërkombëtare. Gjithashtu, Fausta Gjika studente e Universitetit “Luarasi” u zgjodh edhe spikerja më e mirë e konkursit duke dëshmuar aftësi oratorie në lëmin e drejtësisë.
Ky rezultat është një dëshmi e cilësisë së lartë të arsimit juridik, që ofron Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin “Luarasi” dhe i përkushtimit të tij për të përgatitur juristë të aftë për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Universiteti “Luarasi” vazhdon kështu traditën me konkurse të fituara teksa vit pas viti konsolidon pozicionin tij elitar në sistemin arsimor në vend.