Uragani ‘Harvey’ shkakton dëme të pallogaritshme

Zona rreth Hjustonit në Teksas vazhdon të goditet nga shira rekord të një stuhie tropikale që pritet të vazhdojnë edhe për disa ditë, ndërsa ekipet e shpëtimit punojnë për të arritur te njerëzit e bllokuar nga përmbytjet masive.

Parashikuesit e motit thonë se stuhia, e cila të premten goditi bregdetin e Teksasit në formën e uraganit “Harvey”, do të sjellë reshje të tjera duke shkaktuar përmbytje të reja në qytetin e katërt më të madh të Shteteve të Bashkuara.

Rajoni ka përjetuar tashmë më shumë se 60 centimetra shi në disa vende.

Meteorologu Patrick Burke i tha “Zërit të Amerikës” se të paktën deri të mërkurën priten 40-60 centimetra reshje.

“Mesazhi që po përcjellim sot është se kurrë nuk kemi parë një stuhi të tillë. Nuk kemi parë kurrë sasi të tilla reshjesh në një zonë kaq të madhe, pra dëmi është tashmë katastrofik dhe për fat të keq do të vazhdojë të jetë katastrofik në ditët që vijnë”, tha zoti Burke.

Stuhia po largohet, por mund të forcohet përsëri

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se qendra e stuhisë po lëvizte sot ngadalë për në juglindje në një drejtim që do ta kthente atë përsëri në Gjirin e Meksikës dhe kjo mund ta forconte për të goditur përsëri tokën të martën.

Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë njoftoi të hënën herët se po fillonte shkarkimin e kontrolluar të dy rezervuarëve për të parandaluar përmbytjet e mëtejshme. Shkarkimi i ujit do të vazhdojë për disa javë.

Qindra operacione shpëtimi janë ndërmarrë në të gjithë zonën me ekipe të pajisur me helikopterë, anije dhe kuaj nëpër ujërat e përmbytjeve. Vullnetarët u janë bashkuar policisë, si dhe ekipeve të zjarrfikësve dhe atyre mjekësore. Po ndihmojnë gjithashtu 3 mijë anëtarë të Gardës Kombëtare.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se do të urdhëronte edhe 1 mijë trupa të tjera të Gardës Kombëtare në Hjuston të hënën. Ai ka deklaruar gjendjen e katastrofës në rreth një të katërtën e qarqeve të shtetit, duke lejuar qeverinë të shpejtojë ndihmën në ato zona.

Çdo autostradë e madhe brenda dhe jashtë Hjustonit është kthyer në një lumë dhe dy aeroportet e qytetit janë mbyllur.

Zyrtarët e emergjencave këshillojnë banorët 

Zyrtarët e emergjencave i kanë këshilluar banorët të mos qëndrojnë brenda shtëpive, qoftë edhe në papafingo, por të hipin mbi çati dhe të përpiqen të tërheqin vëmendjen e ekipeve të shpëtimit duke tundur një shami të bardhë.

Të dielën, në qiellin e Hjustonit dhe në zonat përreth u përdorën 22 mjete fluturimi për t’ju përgjigjur thirrjeve për ndihmë të banorëve. Shpëtimet me helikopter u kthyen në diçka të zakonshme, ndërkohë që barka dhe gomone të shumta ishin në kërkim të viktimave. Presidenti Donald Trump do ta vizitojë zonën e prekur të martën, por vetëm nëse bëhet e qartë se udhëtimi i tij nuk do të pengojë përpjekjet e ndihmave, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, raporton VOA.

Mbyllet aeroporti i Hjustonit

Përballë përmbytjeve, aeroporti kryesor i Hjustonit “George Bush Intercontinental Airport”, u mbyll të dielën, njoftojnë autoritetet.

Rrugët që lidhin aeroportin me pjesën tjetër të rajonit janë të mbyllura për shkak të përmbytjeve, shton burimi. Edhe aeroporti i dytë i qytetit, “Hobby” është krejtësisht i mbyllur pasi pistat e tij janë përmbytur nga uji. Gjykatësi Ed Emmett, i cili drejton kontenë nga varet Hjustoni, një qytet me 2,3 milionë banorë dhe qendër e industrisë së naftës së Shteteve të Bashkuara, bëri të ditur se një nga spitalet më të mëdha të qytetit po evakuohet për shkak të përmbytjeve.

Teksasi pushtohet nga krokodilët

Qyteti amerikan i Hjustonin gjendet “nën kthetrat” e stuhisë më të fuqishme në 50 vjetët e fundit. Përveç dëmeve të mëdha materiale të shkaktuara nga uragani “Harvey”, qytetarët tashmë po përballen me krokodilët. Ata janë shfaqur kudo nëpër qytetin e Teksasit, para dyerve të shtëpive, në rrugica apo edhe nën makina. Kjo situatë ka shkaktuar panik te njerëzit, të cilët janë të detyruar që të qëndrojnë të mbyllur prej frikës së ndonjë sulmi të mundshëm prej krokodilëve.

Shumë banorë në Hjuston dhe në Teksasin Juglindor janë bllokuar ose janë lënë të presin në ankth brenda shtëpive, pasi uragani “ Harvey” goditi zonën duke shkaktuar përmbytje katastrofike.

Zyrtarët amerikanë u kanë bëtë thirrje banorëve të gjejnë strehim sa më të lartë dhe të ngjiten mbi tarracë. Zyrtarët po rekomandojnë që njerëzit të shmangin daljen jashtë në rrugë, të cilat duket se janë kthyer në lumenj.

Parashikimet kanë nxitur evakuime masive në qarqet e afërta, pasi lumenjtë dolën për herë të parë ndër vite nga shtrati duke përmbytur zonat përreth.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme