Vijon situata tejet kritike nga zjarri në Ishullin e Sazanit, ku sipërfaqe shumë të madhe janë nën “pushtetin” e flakëve.
“BalkanWeb” raporton se një re e madhe tymi arrin deri në Karaburun, ndërsa janë rreth 80 ushtarë e zjarrfikës, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve nga toka, duke rrezikuar jetën, për shkak të municioneve të shumta, që janë hedhur në zonë që në vitin 1997.
Siç raporton gazetari Mehmeti, drejtuesit e Qarkut të Vlorës kanë dhënë urdhër që të mos dalë asnjë pamje nga askush nga operacioni, që po kryhet në ishull.
Ky është zjarri i parë në këtë ishull, pasi shpesh kemi parë të digjet Karaburuni, por për të arritur në Sazan, duhen vetëm mjete ujore. Janë shumë pak mjete që mund të mbërrijnë aty, ndërsa dhe dyshohet se ky zjarr është i qëllimshëm, ndonëse nuk dihet motivi./GSH



