Gazetar: Suad Bajrami
Kryeministri Hristijan Mickoski, vlerëson se debati në SHBA për shfuqizimin ose jo të Agjencisë USAID, duhet të na vetëdijësojë dhe kthjellë që t’i përveshim krahët që të kujdesemi vetë për veten tonë.
“Çdo ndihmë, në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve demokratike të një shteti është e mirëseardhur. Por, edhe kjo duhet të na vetëdijesojë dhe kthjellë, dhe të kuptojmë që në të ardhmen duhet vetë për veten të kujdesemi. Vetë të ndërtojmë shoqëri e cila do të jetë shoqëri e jona e përbashkët, pa dallim të dallimeve tona politike, etnike, fetare e kështu me radhë. Duhet të jemi më shumë të vetëdijshëm se kjo është shtëpia jonë e përbashkët dhe ne jemi të gjithë nën këtë ombrellë të përbashkët”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Nga ana tjetër, kreu i LSDM-së opozitare Venko Filipçe, ndan bindjen se SHBA-të do të gjejnë mënyrën për të mbështetur Maqedoninë e Veriut.
“Ajo është një ndihmë serioze që ne e kemi fituar ne si shtet në periudhën e kaluar. Ka ndikuar edhe në zvogëlimin e deficitit, ndërkaq gjithsesi vlerësoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të gjejnë formë nëse duan ta ndryshojnë, edhe më tej të mbetet partner i shtetit”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Arbër Ademi nga BDI, thotë se megjithatë, vendi nuk do të pësojë nga aspekti financiar.
“Është një vendim i cili i përfshin të gjitha shtetet, jo vetëm Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sigurisht se ai vendim, sa i përket ndihmës për shtetet rishikohet dhe unë besoj se Republika e Maqedonisë së Veriut, nuk do të pësojë në mbështetjen financiare për realizimin e proceseve tejet të rëndësishme në vendin tonë”, deklaroi Arbër Ademi, BDI.
Prej vitit 1993, populli amerikan përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, ka dhënë më shumë se 840 milionë dollarë në Maqedoninë e Veriut për të avancuar vendin drejt objektivit të tij të integrimit euroatlantik, duke përfshirë BE-në dhe NATO-n. Ndihmat jepen për të luftuar korrupsionin, ngritur nivelin llogaridhënies dhe transparencës, nxitur aktivizmin qytetar dhe të rinjtë. Por, jo vetëm kaq, ndihmat janë edhe për zhvillimin ekonomik, forcimin e sektorit energjetik, por edhe sigurinë kibernetike. Me gjithë investimet e vazhdueshme amerikane në forcimin e demokracisë dhe institucioneve, Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me një ndër armiqtë të mëdhenj të shtetit ligjor, korrupsionin, të cilën DASH nga viti në vit rithekson shqetësimet e saja serioze. Ambasadorët, në vazhdimësi kanë dhënë kritika të drejtpërdrejta në lidhje me mungesën e rezultateve, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat, mbase janë një ndër arsyet pse vendi po braktiset nga të rinjtë. /Alsat.mk