Qeveria e Kosovës ia ka përshkruar vetes katër prioritete strategjike për 2018-n.
E, midis veprimeve që ka paraparë t’i ndërmarrë gjatë këtij viti është themelimi i Forcave të Armatosura dhe i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por në to nuk figuron edhe ratifikimi i Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, shkruan sot Koha Ditore.
Të dhënat ndodhen në draftin e programit vjetor të Qeverisë për vitin e ardhshëm, i cili akoma nuk është miratuar. Është hartuar edhe drafti i programit legjislativ, si dhe plani vjetor i dokumenteve strategjike. Në këto dokumente janë paraparë të hartohen 45 projektligje dhe që pastaj t’i procedohen Kuvendit, si dhe 35 strategji.
Midis projektligjeve të listuara është edhe ai për Forcat e Armatosura të Kosovës. Në program nuk janë paraparë amendamente kushtetuese, nëpërmjet të cilave komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të themelohet ushtria.
Megjithëkëtë, në draftin e planit të punës së Qeverisë për vitin 2018 është theksuar se transformimi i Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura do të bëhet “në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë të Kosovës, duke siguruar kështu vazhdimin e përkrahjes së plotë në profesionalizimin e forcave tona të armatosura sipas standardeve të NATO-s”.