Grupi terrorist serb i drejtuar nga krimineli Milan Radoiçiç, po lëviz shpesh afër kufirit të Kosovës. Këtë e thotë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për KosovaPress, ku nënvizon se përderisa autorët e sulmit në Banjskë vazhdojnë në jenë të lirë në Serbi, kërcënimi për sigurinë e vendit është i vazhdueshëm.
“Fakti që ky grup vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe që lëvizë shpesh afër kufirit të Kosovës, vazhdon të mbetet një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin”, tha Maqedonci.
Ministri shton se grupi i Radoiçiq ka qenë i mbështetur nga strukturat e sigurisë në Serbi. Gjithashtu thotë se prezenca e madhe ushtarake e Serbisë përgjatë vijës kufitare me Kosovën, stërvitjet e shpeshtuara në brezin kufitar, si dhe militarizimi i Serbisë nga Rusia dhe Kina, janë rrezik për destabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për luftën hibride ruso-serbe, ministri konfirmon se Kosova ka ndërmarrë hapa për t’u mbrojtur. Qëllimi, sipas Maqedoncit, është destabilizimi dhe krijimi i skepticizmit për rrugën e integrimit euro-atlantik.
© SYRI.net