Telekomi i Kosovës, ani pse po shkonte drejt falimentimit, nuk e kishte problem të ndajë miliona euro për marrjen me qira të objekteve, pronarët e së cilave janë të lidhur me politikën.
Vetëm për objektin i cili është i vendosur në qendër të Prishtinës, në sheshin ‘Nëna Tereza’, Telekomi ka paguar 2 milionë e 994 mijë 533 euro e 80 centë, objekt me të cilin lidhet emri i Sami Lushtakut.
Ishte 28 maj të vitit 2015, kur Telekomi kishte paguar faturën e parë, vlera e së cilës ishte 869 mijë e 140 euro, dhe kjo ishte paradhënie për 36 muaj qira për këtë lokal, e vetëm 3 javë më vonë në po të njëjtën llogari janë derdhur edhe 85 mijë e 860 euro.
Ndërsa në dhjetorin e të njëjtit vit, më saktësisht me datën 4, Telekomi kishte realizuar 2 pagesa të ndryshme.
Pagesa e parë me vlerë prej 152 mijë e 640 eurosh shkoi në qira për muajt e papaguar të periudhës 18 shtator 2015 – 17 mars 2018.
Po në të njëjtën ditë është paguar shuma tjetër me vlerë 1 milion e 39 mijë e 820 euro e 76 centë, sipas një aneks-kontrate për paradhënien e qirasë për periudhën 18 shtator 2018 deri më 17 mars 2023.
Në vitin 2016 të mërkurën e parë të janarit, me datë 6 pagoi faturën tjetër në vlerë prej 704 mijë e 80 euro për qiranë e objektit në shesh.
85 mijë e 858 euro u dhanë më 15 janar të 2016, derisa fatura e fundit u pagua më 16 shkurt të vitit 2016, vlera e së cilës ishte 58 mijë e 135 euro.
Telekomi ka paguar për 8 vjet shumën prej rreth 3 milionë eurosh, që për çdo muaj VALA ka paguar mbi 31 mijë euro.
Faturat e pagesave nga Telekomi ndaj kompanisë “Savinja Skupina Kosovo”, ka siguruar Kohavision. E kjo kompani është pronë e Taip Sadikajt.
Miku i Sami Lushtakut, Taip Sadikaj është ai i cili ka përfituar këto shuma të mëdha parash nga VALA, shkruan Insajderi.
Ai është një emër i panjohur për publikun, por i përfshirë në një ngjarje shumë të njohur. Është i përfshirë bashkë me Sami Lushtakun, një prej njerëzve më të fuqishëm të Partisë Demokratike të Kosovës.
13 vite më parë Lushtaku, kishte penguar gjykatësin Sami Gërdovci që këtë objekt t’ua kthejë pronarëve.
Ishte 14 nëntori i vitit 2005 kur gjyqtari ekzekutues, Sami Gërdovci, bashkë me dy nëpunës të Gjykatës Komunale të Prishtinës dhe tre oficerë policie kishin zbarkuar te sheshi në Prishtinë, me qëllim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Komunale të Prishtinës që i njihte Bratislav Milenkoviqin e Jovica Simiqin për pronarë të objektit, por nuk kishin mundur ta bënin këtë.
Pak kohë pas mbërritjes së tyre, ishin paraqitur Sami Lushtaku dhe Taip Sadikaj. Oficerët policorë kishin përshëndetur Lushtakun dhe i kishin thënë se vetëm po e asistonin gjykatën.
Lushtaku ishte nisur në drejtim të gjyqtarit Gërdovci. E kishte kapur për kravate dhe ia kishte shqyer.
“Unë do të tërheq (zvarrit) dhe do të likuidoj ty,” i kishte thënë Lushtaku gjykatësit Gërdovci. Bazuar në aktgjykim tre policët nuk kishin vepruar gjersa e gjithë kjo kishte ndodhur. Përveç Lushtakut atë ditë kishte kërcënuar edhe Taip Sadikaj.
“Pas kësaj, Taip Sadikaj iu drejtua zot. Milenkoviq dhe i tha këtij të fundit se Sami Lushtaku ka mundur të vrasë partnerin e tij Simiq dhe policia nuk do të bënte asgjë,” thuhet në aktgjykim.
Gjyqtari Gërdovci pas këtyre ishte konsultuar me kryetarin e gjykatës komunale dhe kishte marrë instruksione që të mos e ekzekutonte vendimin në këto rrethana.
Sami Lushtaku kishte mohuar para gjyqit se e kishte kapur gjyqtarin për kravate si dhe se kishte përdorur fjalë kërcënuese.
Lushtaku kishte thënë se është interesuar për objektin, pasi që një kushëri i tij kishte shprehur interesim për ta blerë atë. Edhe Taip Sadikaj kishte mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Qarkut e Prishtinës më 25 maj 2006.
Sadikaj kishte deklaruar para gjyqit se “ndoshta kishte thënë fjalë të këqija”, por se nuk kishte qëllime të këqija.
“Zot. Sadikaj tha se ai udhëton shpesh në Serbi dhe ai nuk do të guxonte të kërcënonte serbët në Kosovë pasi që ai mund të ballafaqohej me rreziqet në Serbi nëse do të vepronte në atë mënyrë,” thuhet në aktgjykim.
Por gjykata konkludoin se eksitojnë dëshmi bindëse se Lushtaku e Sadikaj përdorën kërcënime serioze për të detyruar përsonat zyrtarë që të mos ekzekutojnë vendimin gjyqësor. Lushtaku është dënuar me burgim prej katër muajsh, ndërsa Sadikajt i është shqiptuar vërejtje gjyqësore. Ndërmarrja publike Vala e Telekomi, nuk ka dhënë komente lidhur me të kaluarën e Taip Sadikajt nga i cili morën objektin në shfrytëzim.
Historia e problemeve është edhe më e vjetër se ndodhitë e vitit 2005. Para vitit 1999 ky objekt shfrytëzohej nga ish-ndërmarrja shoqërore e konfeksionit “Beko”. Pronat e ish-ndërmarrjeve shoqërore menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Kjo parcelë, sipas autoriteteve komunale, bazuar në të dhënat e para vitit 1999, ka qenë në bashkëpronësi të konfeksionit “Beko” dhe Komunës së Prishtinës.
Emri i Taip Sadikajt, bazuar në përgjigjet e Komunës së Prishtinës, është shfaqur më 14 nëntor 2007 kur një pjesë e parcelës është regjistruar në emër të tij. Një pjesë tjetër e parclës, më 23 shkurt 2011, është regjistruar në emër të Ganimete Sadikajt.
Ndërsa më datën 22 qershor 2015 parcela kadastrave me numër 7122-4 ka kaluar në pronësi të grupit slloven “Savinja Skupina”, dega në Kosovë.
Ndërsa më datën 22 qershor 2015 parcela kadastrave me numër 7122-4 ka kaluar në pronësi të grupit slloven “Savinja Skupina”, dega në Kosovë. Ky biznes figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në emër të Ganimete Sadikajt.