Dyshimet se në Klinikën e Onkologjisë janë vjedhur dhe janë shitur në të zezë ilaçet kundër kancerit, kanë revoltuar qytetarët, të cilët nëpër rrjetet sociale po kërkojnë përgjegjësi për personelin mjekësor që dyshohet se kreu manipulimet. Madje ka nga ata që kërkojnë që të dyshuarit të publikohen me emër e mbiemër. Kryeministri Dimitar Kovaçevski bëri thirrje që rasti të mos shfrytëzohen si sensacion, duke shtuar se si Qeveri nuk do të ndërhyjnë për të mbrojtur askënd.
“Çdo krim ka emër dhe mbiemër, ka përgjegjësi. Detyra e MPB-së dhe Prokurorisë është të sigurojë dëshmi në bazë të së cilave do të identifikohen kryerësit. E përsëris, nga ana e kryetarit të Qeverisë dhe Qeverisë nuk do të ketë asnjë intervenim për të mbrojtur këdo. Bëhet fjalë vërtetë për informacione të tmershme të cilat janë lëndë hetimi nga MPB dhe Prokurorisë.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Kovaçevski njoftoi se me Klinikën e Onkoligjisë tani menaxhon një drejtor i ri. Bëhet fjalë për Halid Matoshin, i cili në këtë funksion erdhi pasi Aleanca për Shqiptarët iu bashkëngjit Qeverisë. TV21 kontaktoi me drejtorin. E pyetëm nëse a ka pasur njohuri për këto keqpërdorime. Na tha që do të na kontaktojë ditëve në vijim, sapo të zbardhet i gjithë rasti nga organet.
Ndaj paraqitjes së sotshme të kryeministrit reaguan nga opozitarja VMRO-DPMNE. Ata thonë se Kovaçevski po sillet sikur të mos jetë kryeministër. Akuzojnë se këto keqpërdorime të cilat kanë ndodhur në dy vitet e fundit, pikërisht Kovaçevski ka qenë kryeministër. Llazo Jovçeski nga Komisioni për Shëndetësi në VMRO-DPMNE, thotë se tanimë dy vite me radhë kanë reaguar për këto informacione, por MPB nuk ka ndërmarë asnjë masë për të parandaluar humbjen e jetës së pacientëve.
“Skandali i fundit me tregti me citostatikë në Klinikën e Onkologjisë është tronditës. Nga njëra anë na ofronin bilbordë për shëndetësi europiane dhe falas, ndërsa nga ana tjetër shohim mafien në shëndetësi. Përpos manipulim me publikun, nuk ka masa me të cilat duhet të parandalohen këto raste të cilat si pasojë mund të kenë edhe humbje të jetës së njerëzve. Pikërisht kjo Qeveri e LSDM-së dhe BDI-së premtonte jetë, por si duket solli vetëm fatkeqësi për njerëzit.”- tha Lazo Jovçeski, Komisioni për Shëndetësi në VMRO-DPMNE.
Reagim me shkrim pati edhe nga Komisioni i Shëndetësisë pranë Aleancës për Shqiptarët.
“Për skandalin në Klinikën e Onkologjisë, Aleanca për Shqiptarët ka alarmuar qysh në dhjetor të 2022. Unë nuk dua të besoj që të jetë e vërtetë, se në të kundërtën mantili i bardhë bëhet i zi.”- tha Bekim Tateshi, Komisioni për Shëndetësi në ASH.
Reagime ka edhe nga partitë tjera si Partia Demokratike Evropiane, Lidhja Demokratike dhe Partia Liberale Demokratike.
Përndryshe kryeministri Kovaçevski, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të medikamenteve, në seancën e radhës të Qeverisë do të propozojë që në kufi të vendoset sistem “Track & Trace” me qëllim që të dihet saktë çfarë po importohet, me çfarë cilësie dhe ku përfundon.