Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar Vasfije Krasniqin në pozitën e të dërguarës së posaçme për dhunën seksuale gjatë luftës.
Ajo ka thënë se Krasniqi i ka dhënë zë dhimbjes së mijëra grave të përdhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Në rolin e saj të ri, ajo do të vazhdojë kërkimin për drejtësi dhe do të përforcojë zërat e të mbijetuarve përreth botës”, ka shkruar presidentja në llogarinë e saj në “X”.
Vasfije Krasniqi është e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe e para që publikisht ka rrëfyer historinë si dhe përjetimet e saj.
Vite më parë ajo kishte postuar në faqen e saj në Facebook një letër të hapur për njeriun që e ka përdhunuar në vitin 1999.
Ndërsa, më pas ka dhënë rrëfimin e saj për torturat që ka përjetuar gjatë luftës në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.