Njohjet e shtetësisë së Kosovës tash e një periudhë kanë shënuar ngecje serioze. Derisa diplomatët kosovarë janë duke u treguar të ngathët në këtë drejtim, mediat serbe raportojnë se qeveria e Serbisë ka krijuar një grup të posaçëm që do të merret më bllokimin e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga shtetet të cilat nuk e kanë bërë deri më tani, si dhe angazhimin për tërheqjen e njohjes nga shtetet të cilat janë në mëdyshje.
Një prej shteteve që ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, është edhe Vatikani. Qytet-shteti Vatikani gjendet në veri – perëndim të Romës, Itali. Kryetar i shtetit është Papa, i cili ushtron fuqinë e ligjvënies, zbatimit të ligjit dhe fuqinë gjyqësore.
Tash së fundmi, Papa Françesku ka takuar Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn. Në një bisedë larg syve të mediave, Papa shprehu vlerësimin e tij për shembullin kosovar të tolerancës fetare dhe të promovimit të paqes, siç njoftohet në komunikatën për shtyp të kryeministrisë.
“Të nderuem me pritjen e të bekuem me fjalët e Atit të Shenjtë. Rruga jonë euro-atlantike fuqizohet me partneritetin strategjik me Vatikanin”. “Bekimi i Papa Françeskut është një nxitje e mëtejshme për udhën që ndjek Kosova me popullin e saj, udhën e qytetërimit evropian!”, shkruajti kryeministri Haradinaj.
Mirëpo, as këto fjalë nuk mjaftuan që ta bindtte Papën që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Fjalëëmbël me liderët e Kosovës Papa ishte treguar edhe me presidentin Hashim Thaçi, gjatë vizitës së këtij të fundit një vit më parë. Edhe Thaçi, njëjtë si Haradinaj, kishte thurur elozhe për Papën.
“Vatikani është udhërrëfyes dhe motivues për të qëndruar të paluhatur në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave. Prandaj, edhe jemi krenarë me Nenën Terezë, sepse askush më mirë se ajo nuk i ka mbrojtur dhe përhapur kudo në botë këto vlera”, kishte deklaruar presidenti i Kosovës. Por, as figura e humanists Nënë Tereza nuk kishte mjaftuat ta bind Vatikanin që të njeh pavarësinë e Kosovës.
Papa kishte përsëritur fjalët e njëjta, sipas komunikatave zyrtare: Kosova është shembull në rajon dhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën mes popujve të përkatësive të ndryshme fetare dhe etnike./Sakte.net