Gazetar: Mefail Ismaili
30 studentët të katedrës së muzikës në Universitetin e Tetovës, kanë nënshkruar deklaratë se nuk do të mbajnë mësim dhe provime me profesoren Besiana Mehmedi, shkruan Alsat.
Alsat nga burime të saj, mëson se këto studentë, të cilët janë nga viti i parë deri në vitin e katërt, kanë deklaruar se ligjëratat dhe provimet dëshirojnë ti mbajnë me profesorin Bajram Çupi. Dekani i Fakultetit tha se me këtë vendim të studentëve duhet të merret Rektorati.
“Ne e respektojmë kërkesën e studentëve që ata të zgjedhin me cilin profesor do të mbajnë ligjërata dhe provimet. Ne merremi me çështjet e brendshme të fakultetit, për çështjen me profesoren Besiana Mehmedi duhet të vendos Rektorati”, deklaroi Nafi Jashari, Dekan i Fakultetit të Arteve – UT.
Rektorati pa përgjigje konkrete. Thonë se për momentin po respektohet vendimi i Këshillit.
“Fakulteti i Arteve aktualisht procesin mësimor – shkencor e zhvillon në përputhje me vendimin e Këshillit. Situatat e reja që mund të paraqiten ne do ti trajtojmë në kohën e duhur”, njoftojnë nga Zyra për informim – UT.
Studentët e Muzikës në UT, bojkotuan ligjëratat dhe protestuan kundër profesores Besiana Mehmedi të cilën e akuzojnë për fyerje dhe kërcënime. /Alsat.mk