Vazhdojnë protestat kundër gjuhës shqipe në Maqedoni

Në Maqedoni protestat kundër gjuhës shqipe po mbahen për dy javë me radhë, nën organizimin e iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.

Organizatorët e protestave thonë se do të dalin në rrugë për të protestuar në Shkup dhe qytetet e tjera të Maqedonisë, derisa lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, ta hedhë tërësisht platformën shqiptare. Ata konsiderojnë se ky dokument është hartuar në Tiranë dhe si i tillë cenon karakterin unitar të shtetit të Maqedonisë.

Ndërkaq, Zaev të premten duke prezantuar programin qeveritar u ka bërë thirrje protestuesve që të kthehen në shtëpitë e tyre, sepse janë të pavërteta spekulimet se do të dënohen qytetarët maqedonas, të cilët nuk e njohin gjuhën shqipe, aq më pak se do të imponohet miratimi i një ligj, i cili është në dëm të qytetarëve maqedonas. Por, protestuesit thanë se mbeten të zhgënjyer nga Zaevi, i cili nuk pati guxim të shprehet kundër platformës shqiptare, prandaj thanë se do të vazhdojnë me protesta.

“Presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, nuk guxon t’i ndajë mandatin një njeriu, icili në programin qeveritar synon të imponojë platformën e një shtetit të huaj, platformën e Tiranës. Ne do të qëndrojmë këtu për të mbrojtur themelet e shtetit tonë nga ata që dëshirojnë të arrijnë në pushtet përmes shqiptarëve”, ka deklaruar Bogdan Ilievski, një nga organizatorët e protestave kundër gjuhës shqipe.

Disa nga qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se protestojnë kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë.

“Problemi qëndron në atë se përdorimi i gjuhës shqipe imponohet në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë. Njëherësh irriton edhe gjoba prej 5 mijë euro që parashihet për të gjithë ata, të cilët nuk e njohin gjuhën shqipe, kjo nuk përputhet me karakterin e shtetit shumetnik”, thotë Jovanço Bozhinovski.

Përderisa Pero Spasovski, thotë se duhet të formohet një qeveri mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së për të penguar realizimin e platformës së partive politike shqiptare.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme