Gazetar: Mefail Ismaili
Nga qeveria nuk komentojnë informatat të cilat qarkullojnë në opinion se pronari i veturë së djegur që përdorej nga zëvendëskryeministri Artan Grubi është bashkëpronar i një kompanie që ka blerë hotelin Granit në Kodrën e Diellit e ndërkohë Graniti ka fituar një tender milionësh për rrugën Shkup- Bllacë. Këto të dhëna janë publikuar nga javorja Fokus e cila ka hulumtuar rastin e djegies së makinës, pronarin e saj dhe lidhjet e tij biznesore. Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, tha se nuk i takon ati të komentojë këto zhvillime.
“Mendoj se Prokuroria themelore publike dhe Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit thanë se po e shqyrtojnë këtë rast.
Sinqerisht, ata duhet të deklarohen. Unë nuk jam pjesë as e Prokurorisë publike as e Komisionit për parandalimin e korrupsionit… përveç asaj që e kam paraqitur në listën time anketuese, unë nuk mund të referoj për sjelljen e kolegëve të tjerë”, tha Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër.
Por opozita insiston që rasti të zbardhet sa më shpejtë. Nga VMRO-DPMNE thonë se opinionit duhet ti sqarohet se çfarë ka bërë Grubi për kompaninë dhe për biznesmenin që ia ka dhënë në përdorim veturën 80 mijë euro dhe çfarë lidhje ka Grubi me këtë kompani. Kreu i opozitës Maqedonase Hristijan Mickoski tha se kjo vepër duhet të hetohet në detaje.
“Në këtë rast besoj se bëhet fjalë për ndonjë përplasje kriminele. Ajo që në opinion është e njohur është që automjeti nuk ka qenë në pronësi të personit të cilin e përmendët, po ka qenë pronë e ndonjë personi tjetër juridik i cili në të kaluarën lidhet me aktivitete të tjera biznesi. Kështu që i ftoj organet që në detaje ta hetojnë këtë rast. Kuptohet që kryerësit duhet të nxirren para drejtësisë po ashtu edhe lidhja e personit që e përmendët me kompaninë në pronësi të së cilës është automjeti. Shpresoj që në periudhë sa më shpejtë të mundshme të hetohet dhe pastrohet para opinionit”, u shpreh Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
Opozita insiston që të hetohet edhe rasti i paraqitjes së djegies në polici dhe dyshimet se ka të dhëna të cilat janë deklaruar ndryshe. Dje nga prokuroria publike njoftuan se kanë filluar hetimet edhe për djegien e veturës, por edhe për atë që veturën të cilën privatisht e ka vozitur zëvendëskryeministri Artan Grubi ka figuruar në emër të një personi tjetër. Ndërsa nga anti-korrupsioni thonë se nuk kanë hapësirë ligjore që të hetojnë më tepër për rastin e djegies së veturës, pasi mungojnë ligje me të cilat kontrollohet burimi i pasurisë së zyrtarëve. /Alsat.mk