Gazetar: Bashkim Sulejmani
“Pas reagimeve të shumta të një dite më parë, si nga institucionet po ashtu edhe nga partitë politike, sot këtu në Manastir në kodrën e Diellit, nuk vazhdojnë punimet për rregullimin e kryqit, gjegjësisht ndriçimin e tij. Nga inspektorati, ditë më parë është kërkuar nga këshilli i manastirit që të deponoj në komunë dokumentet e nevojshme për vendosjen e kryqit, siç është leja dhe marrja e mendimit nga Parku Kombëtar mali Sharr, ndërsa sipas informatave tona në inspektorat, nga këshilli i Manastirit, është kërkuar një afat prej 15 ditësh për ti dorëzuar dokumentet”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
Kontaktuam edhe me këshillin e Manastirit, me çrast na u konfirmua e njëjta, se janë kërkuar dy javë kohë për dorëzimin e dokumenteve që ditë më parë kanë kërkuar nga inspektorati komuna.
Vendosja e kryqit në kodër të Diellit nxiti edhe përplasje mes këshilltarëve, në mbledhjen e jashtëzakonshme, që ditë më parë u thirr nga ana e këshilltarëve të BDI-së, me qëllim informimin nga Inspektorati komunal nëse është dhënë leje ndërtimi apo jo.
“Presim që udhëheqësi i inspektoratit të del të na sqaroj kush i ka ingerencat për ndërtimet në kodër të Diellit. A ka ingerenca komuna dhe cilat janë ato. Çfarë ka detektuar në kodër të Diellit inspektorati komunal”, pohoi Liridon Disha, këshilltar BDI.
“Unë e kuptoj tendencën tuaj por nuk ka bukë në këtë rast për të manipuluar. S`ka vend për manipulime… Ne kemi bë inspektim, kemi bë procesverbal për platformën dhe kërkuan a kanë leje apo jo nuk kishin. Pastaj është vendos edhe objekti i dytë. Hapat e radhës janë dërgimi i procesverbalit tek ata dhe nëse nuk kanë leje bëhet vendimi për prishje, shumë e thjeshtë është”, tha Sedat Sulejmani, shef i inspektoratit komunal.
“Në rastin konkret ne si VMRO, gjithsesi se jemi për respektim të ligjeve por me trajtim të barabartë për të gjithë. Nuk pamë kaq shqetësim kur u ndërtua xhamia në kodër të Diellit kur ne maqedonasit nuk ishim kundër ndjenjave fetare të myslimanëve. Në këtë rast, kërkojmë dhe ju thërrasim në mirëkuptim që të mos ngritën tensione fetare mes qytetarëve”, theksoi Anita Boshkoska Jovanovska, këshilltare e VMRO-së.
Kryqi 15 metra i lartë është vendosur të mërkurën jashtë oborrit të Manastirit “Shën Naumi” i Ohrit në Kodër të Diellit. Leje për vendosjen e kryqit në këtë vend nuk ka dhënë Komuna e Tetovës, ndërsa pëlqim nuk është marrë as nga Parku Kombëtarë “Mali Sharr”.
Nga Këshilli i Manastirit thanë se leje nuk kishin kërkuar meqë sipas tij bëhet fjalë për pajisje urbane për të cilën nuk kërkohet leje./ Alsat.mk